BALLKANI

Mbahet takimi i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian të Shqipërisë

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Bledar Çuçi, në takim foli mbi prioritetet dhe hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të parregullt

Fatjon Cuka   | 11.05.2022
Mbahet takimi i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian të Shqipërisë Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë
 Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian të Shqipërisë (KKIE) ka organizuar takimin me temë: “Ecuria në luftën kundër krimit të organizuar dhe zbatimi i rekomandimeve të Komisionit Evropian", me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve të ndryshme, deputetëve dhe përfaqësuesve të organizatave, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Bledar Çuçi, në takim foli mbi prioritetet dhe hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të parregullt.

Ai theksoi se krimi i organizuar nuk njeh kufi dhe është një fenomen transnacional dhe si i tillë sipas tij mund të luftohet vetëm në bashkëpunim të ngushtë me partnerët.

"Lufta kundër krimit të organizuar mbetet absolutisht një prioritet sepse duke krijuar një mjedis të sigurt, mund të garantojmë më pas zhvillim ekonomik dhe social. Vëmendje e veçantë i është kushtuar sidomos luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe trafikimit të paligjshëm të qenieve njerëzore", u shpreh Çuçi.

Ministri Çuçi tha se pavarësisht konjuktuarave apo zhvillimeve momentale, Shqipëria nuk ka dyshim që do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. "Shqipëria nuk ka qenë kurrë më parë në një moment të tillë ku pret organizimin e konferencës së parë ndërqeveritare, pavarësisht vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut", tha ai.

Duke iu referuar procesit të integrimit evropian, ai theksoi më tej se “sikundër e ka konfirmuar disa herë Komisioni Evropian, ne i kemi përmbushur gjitha kushtet”.

Kujtojmë se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe është në pritje të fillimit të negociatave zyrtare të anëtarësimit.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE) është struktura më e lartë këshillimore kombëtare në Shqipëri për integrimin evropian, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile. Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın