Politikë, BALLKANI

"Marrëveshja me Serbinë, e mundshme brenda këtij viti"

Edhe pse presidenti Thaçi shprehet optimist për një marrëveshje me Serbinë brenda vitit 2019, ai nuk ka plane për heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe

Agim Sulaj   | 15.04.2019
"Marrëveshja me Serbinë, e mundshme brenda këtij viti"

Prishtinë

Një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në linjat e marrëveshjes historike midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut është ende e mundur gjatë vitit 2019, pavarësisht pengesave të rënda të muajve të fundit, tha presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për gazetën britanike The Guardian, transmeton Anadolu Agency (AA).

Serbia deri më tash ka refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës që kur ajo u shpall në vitin 2008. Bisedimet mes dy vendeve janë pezulluar që prej muajit nëntor të vitit të kaluar, kur Kosova vendosi një tarifë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Thaçi tha se nuk ka plan për heqjen e kësaj tarife, por theksoi nevojën për një progres të shpejt në këtë aspekt.

Hezitimi ndërkombëtar dhe mesazhet e përziera, sipas Thaçit, "po krijojnë hapësira për nacionalistë dhe populizëm në të dyja anët e kufirit".

"Shpesh dalin në pah edhe egot e mëdha dhe përplasjet e personaliteteve dhe ne dëgjojmë shumë rrallë për principe, standard dhe vlera", tha ai.

Thaçi theksoi se ka investuar në kapital politik për dy dekada për të pasur bisedime të suksesshme dhe çmimi i ndërprerjes së tyre do të dëmtonte tërë rajonin.

"Në rrethanat aktuale, me këto tensione, nuk shoh arsye se përse investitorët e huaj duhet të vijnë dhe të investojnë në rajonin tonë. Vetëm një marrëveshje paqeje do të sjellë prosperitet", tha presidenti kosovar.

Ai është në favor të korrigjimit të kufirit me Serbinë, një ide kjo e cila u kundërshtua nga Gjermania me frikën se do të zgjojë kërkesa "të fjetura" për kufij të tjerë gjeografikë në Ballkan.

Presidenti i Kosovës thotë se "demarkacioni" duhet të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të njohjes reciproke mes vendeve, edhe pse thekson se "nuk duhet të ketë kufij mbi linja etnike" dhe se "Kosova dhe Serbia duhet të mbeten shtete shumetnike".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın