Shëndetësi, BALLKANI, Koronavirusi

Maqedonia e Veriut pranon 100.000 doza të tjera të vaksinës Sinopharm

Ministri i Shëndetësisë, Filipçe, ka thënë se bëhet fjalë për sasi të konsiderueshme e cila mund ta ndryshojë ndjeshëm pasqyrën e pandemisë në vend

Furkan Abdula   | 15.05.2021
Maqedonia e Veriut pranon 100.000 doza të tjera të vaksinës Sinopharm

Shkup

Maqedonia e Veriut sot pranoi një donacion tjetër nga Kina me 100.000 doza vaksinash Sinopharm kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, sot në poliklinikën "Jane Sandanski" është dhuruar një donacion prej 100.000 dozash vaksinash nga Ushtria e Republikës Popullore të Kinës për Maqedoninë e Veriut në luftën kundër pandemisë.

Donacioni është pranuar nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, Gjeneral Lejtnant Vasko Gjurçinovski.

Në njoftim thuhet se donacioni vjen pas takimit të ministres Shekerinska me ministrin kinez të Mbrojtjes Wei Fenghe në mars, kur të dy ministrat ranë dakord që krizat globale të tilla si pandemia mund të zgjidhen vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe solidaritetit të ndërsjellë.

Shekerinska ka shprehur falënderime për Kinën me rastin e këtij donacioni, i cili, siç ka thënë ajo, do të jetë mundësi shtesë në luftën kundër pandemisë.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Filipçe, ka thënë se bëhet fjalë për sasi të konsiderueshme e cila mund ta ndryshojë ndjeshëm pasqyrën e pandemisë në vend.

Ambasadori kinez në Shkup, Zhan Zuo, në një prononcim për mediumet ka thënë se bota po përjeton ndryshime të thella si rezultat i pandemisë dhe se është e nevojshme që të gjithë t’i përmbahen multilateralizmit dhe të forcojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin.

Në fund të muajit të kaluar, Kina i dhuroi Maqedonisë së Veriut 200.000 doza të vaksinës Sinopharm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın