BALLKANI

Maqedonia e Veriut në prag të zgjedhjeve të gjashta presidenciale

Kandidatë në këto zgjedhje presidenciale janë Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Blerim Reka

Admir Fazlagikj  | 19.04.2019 - Përdıtësım : 20.04.2019
Maqedonia e Veriut në prag të zgjedhjeve të gjashta presidenciale ( Furkan Abdula - Anadolu Agency )

Shkup

Me fillimin e fushatës për zgjedhjet presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, këtë muaj, filloi gara për zgjedhjen e presidentit të vendit, ku raundi i parë zgjedhor do të mbahet më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj të këtij viti, shkruan Anadolu Agency (AA).

Kandidatë në këto zgjedhje presidenciale janë Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Blerim Reka. Që të tre janë profesorë universitar.

Pendarovski është kandidat i koalicionin qeveritar (Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë-LSDM, Bashkimi Demokratik për Integrim-BDI, partia AlternAtivA, si dhe 30 parti tjera), Siljanovska-Davkova është kandidate për presidente që mbështetet nga partia opozitare VMRO-DPMNE dhe koalicioni, ndërsa pas kandidaturës së Rekës kanë qëndruar partitë opozitare të bllokut politik shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA.

- Stevo Pendarovski

Pendarovski është lindur në vitin 1963 në Shkup. Ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Juridike në Universitetin "Shën Kirili dhe Metodi" (UKIM) në Shkup, ndërsa studimet e magjistraturës dhe doktoraturës i ka kryer në institutin për hulumtime sociologjike dhe politike në UKIM.

Në 11 vitet e kaluara ka qenë profesor në Universitetin American College në Shkup, ku ka ligjëruar lëndë të ndryshme nga sfera e sigurisë ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pendarovski deri më tani ka kryer funksione të shumta politike dhe shtetërore. Ai ishte shef i Drejtorisë për analitikë dhe hulumtim në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe zëdhënës i ministrisë. Në vitet 2001-2004 ishte këshilltar për siguri nacionale i Boris Trajkovskit, presidentit të atëhershëm të Maqedonisë së Veriut.

Nga viti 2004 deri në vitin 2005 ka kryer funksionin e kryetarit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ndërsa nga viti 2005 deri në vitin 2009 ishte këshilltar për politikë të jashtme i presidentit të atëhershëm, Branko Crvenkovski. Në vitin 2014 ishte kandidat për president të vendit, i mbështetur nga LSDM, por u mposht nga kundër-kandidati Gjorgje Ivanov, presidenti aktual i vendit.

Nga viti 2016 deri në vitin 2017 Pendarovski ishte deputet në Kuvend. Nga nëntori i vitit 2017 ai ushtron edhe funksionin e koordinatorit nacional për përgatitje të Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO.

"Bashkë përpara" është slogani i fushatës në të cilën Pendarovski flet për vlerat e shoqërisë multietnike. Në paraqitjet e tij para qytetarëve gjatë fushatës parazgjedhore, Pendarovski fokusohet në përfitimet nga anëtarësimi i vendit në BE dhe NATO, ndërsa gjithashtu thekson se mbështet Marrëveshjen e Prespës, me të cilën u zgjodh kontesti shumëvjeçar për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, me të cilin vendi e ndryshoi emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut.

- Gordana Siljanovska-Davkova

Ekspert e të drejtës kushtetuese dhe profesoreshë në Fakultetin Juridik "Justiniani i Parë", Gordana Siljanovska-Davkova është lindur në vitin 1955 në Ohër. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Shkup, ku edhe ka kryer studimet e magjistraturës. Ka doktoruar në Fakultetin Juridik në Lubjanë në vitin 1994. Nga viti 2004 është profesoreshë e rregullt në Fakultetin Juridik pranë Universitetin "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup, ku ligjëron të drejtën kushtetuese dhe sistemin politik.

Ajo ishte anëtare e komisionit kushtetues të Kuvendit dhe ministër pa resor nga viti 1992 deri në vitin 1994. Ajo ka qenë eksperte për zgjedhje e Kombeve të Bashkuara dhe nënkryetare e grupit të ekspertëve të pavarur për vetëqeverisje lokale pranë Këshillit të Evropës. Ajo gjithashtu ka qenë anëtare e Komisionit të Venecias.

Është autore e shumë punimeve shkencore për të drejtën kushtetuese dhe sistemin politik.

"Drejtësi për Maqedoninë - Atdheu thërret" dhe "Grua për presidente" janë sloganet e fushatës parazgjedhore të kandidates Siljanovska-Davkova, në kuadër të së cilës ajo kërkon besimin e qytetarëve. Sipas saj, është e nevojshme qasje më proaktive në ushtrimin e funksionit të presidentit të shtetit.

Në paraqitjet e saja para publikut, Siljanovska-Davkova thekson se është për sundim të së drejtës, ndërsa thotë se ligjet duhet të jenë në korniza të Kushtetutës për të qenë të mira.

Sipas saj, Marrëveshja e Prespës është asimetrike, vlerëson se zgjidhja nga kjo marrëveshje është e paqëndrueshme, por thekson edhe se emri i ri i shtetit, Republika e Maqedonisë së Veriut, nuk është vetëm fakt real, por edhe fakt juridik. Megjithatë, ajo thekson se nëse zgjidhet presidente, nuk do të shmang nënshkrimin e ligjeve për shkak të emrit të ri të shtetit.

- Blerim Reka

Kandidati presidencial i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, Blerim Reka, është lindur në Shkup në vitin 1960. Ai është profesor universitar për të drejtën ndërkombëtare dhe ish-ambasador në Bruksel.

Reka ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës në Kosovë. Aty edhe ka kryer studimet e magjistraturës, ndërsa ka doktoruar në universitetin e njëjtë si dhe në Universitetin në Graz në Austri.

Nga viti 2006 deri në vitin 2010 ka qenë ambasador i misionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE). Në këtë funksion mbetet për katër vite duke e përmbushur një mandat të plotë. Pastaj i kthehet akademisë. Reka ka qenë dekan i Fakultetit për Administratë Publike në universitetin e Evropës Juglindore, si dhe prorektor i të njëjtit universitet.

Reka ka marrë pjesë në konferenca të shumta shkencore ndërkombëtare, ndërsa gjithashtu është autor i shumë punimeve që ndërlidhen me juridikun.

Sipas fjalëve të tij, një nga shkaqet për të cilat ka vendosur që të garoj në zgjedhjet presidenciale është se "vetëm me kandidatë maqedonas, pa asnjë shqiptar, kjo shoqëri multietnike rrezikon që të shndërrohet në shtet monoetnik, ndërsa shqiptarët të jenë vetëm votues, e jo të votuar".

"Reka për Republikën" është slogani me të cilin Reka e paraqet programin e tij presidencial para qytetarëve. Koncepti i tij me të cilin do ta kërkoj mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet presidenciale është "sundimi i së drejtës, në vend të sundimit të individit".

"Ofrojmë koncept për kthimin e republikanizmit të republikës. Ne jemi për republikë multietnike dhe euroatlantike", thotë Reka.

- Ligjet

Sipas ligjeve të vendit, kandidati për president mund të fitoj në raundin e parë zgjedhor nëse merr më shumë se 50 për qind të votave nga të gjithë votuesit e regjistruar në listën zgjedhore. Në të kundërtën, mbahet rrethi i dytë zgjedhor në të cilin garojnë dy kandidatët që radhiten të parët në rrethin e parë zgjedhor. Dalja e votuesve në rrethin e dytë zgjedhor duhet të jetë minimum 40 për qind, në mënyrë që votimi të jetë i vlefshëm.

Sipas Kushtetutës, kandidati për president duhet të jetë më i moshuar se 40 vjeç dhe të jetë banor i vendit të paktën 10 vjet në 15 vitet e fundit. Një mandat për president zgjat 5 vite.

- Zgjedhjet e gjashta presidenciale

Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale në Maqedoninë e Veriut, në të cilat do të zgjidhet presidenti i pestë i vendit.

Pas shpalljes së Deklaratës për pavarësinë e shtetit, më 25 janar të vitit 1991, Kiro Gligorov dy ditë më vonë, më 27 janar, u zgjodh presidenti i parë i Republikës së Maqedonisë së pavarur dhe sovrane nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në zgjedhjet e para presidenciale në vitin 1994 ai përsëri u zgjodh për president të vendit.

Në vitin 1999, në zgjedhjet e dyta presidenciale, në vend të Gligorovit erdhi Boris Trajkovski, ndërsa në zgjedhjet e treta që ishin të parakohshme, president u zgjodh Branko Crvenkovski. Në zgjedhjet presidenciale në vitet 2009 dhe 2014 fitues ishte Gjorgje Ivanov, i cili është presidenti aktual i vendit.

Ivanov nuk ka të drejtë të kandidoj, për shkak të kufizimit kushtetues prej më së shumti dy mandateve të presidentit.

Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), për zgjedhjen e presidentit të ri të drejtën e votës do të kenë 1.808.131 votues. Sipas KSHZ-së, 1.726.696 qytetarë do të votojnë në ditën e zgjedhjeve, ndërsa pjesa tjetër janë në listën e veçantë të votuesve dhe do të votojnë një ditë më herët.

Votimi do të zhvillohet në 3.480 vendvotime.

Më 21 prill do të mbahet raundi i parë i votimit dhe në të njëjtën kohë qytetarët e Ohrit, të Dibrës dhe të Novo Sellës do të zgjedhin kryetar komune.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.