BALLKANI

Maqedonia e Veriut dhe Serbia nënshkruajnë memorandum në sferën e digjitalizimit

Memorandumi do t'i mundësojë Maqedonisë së Veriut të marrë përvojat e Serbisë në digjitalizimin dhe krijimin e faqeve të reja të internetit për institucionet e ekzekutivit

Abdula Berisha  | 19.07.2019 - Përdıtësım : 21.07.2019
Maqedonia e Veriut dhe Serbia nënshkruajnë memorandum në sferën e digjitalizimit ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe e Serbisë kanë nënshkruar memorandum për bashkëpunim në sferën e digjitalizimit, i cili do t'i mundësojë Maqedonisë së Veriut të marrë përvojat e Serbisë në digjitalizimin dhe krijimin e faqeve të reja të internetit për institucionet e ekzekutivit, raporton Anadolu Agency (AA).

Memorandumin e nënshkruan ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës i Maqedonisë së Veriut, Damjan Mançevski dhe drejtori i Zyrës për Teknologji Informatike dhe Administratë Elektronike në Qeverinë e Serbisë, Mihaillo Jovanoviç.

Mançevski tha se faqet aktuale të internetit janë të vjetra, nuk ofrojnë shërbime të mjaftueshme për qytetarët, si dhe kanë mangësi në sferën e sigurisë. Ai theksoi se parashihet unifikimi i faqeve të internetit të të gjitha institucioneve të ekzekutivit, duke shtuar se bëhet fjalë për ndyshim të konceptit se si institucionet komunikojnë me qytetarët.

"Koncepti 'zgjidhje e vetme për të gjitha ministritë dhe institucionet' do të mundësojë në të ardhmen më lehtë të gjendemi në faqet e internetit e Qeverisë dhe ministrive dhe në mënyrë shumë më të thjeshtë të vijmë deri tek informatat e duhura", tha Mançevski.

Jovanoviç tha se memorandumi paraqet avancim të bashkëpunimit tashmë të mirë mes dy vendeve në sferën e transformimit digjital të administratës, duke theksuar se Serbia ka bërë një transformim të suksesshëm të administratës në shërbim të qytetarëve dhe kompanive.

"Sot në kuadër të këtij memorandumi do të kemi aktivitete konkrete kryesisht të fokusuara në atë se si është e mundur që nëpërmjet faqeve të internetit të Qeverisë së Republikës së Serbisë të mundësojmë komunikim të ndërsjellë mes qytetarëve dhe Qeverisë dhe të gjitha ministrive në kuadër të Qeverisë", tha Jovanoviç, duke shtuar se rajoni mund të përparojë vetëm përmes shkëmbimit të ideve të mira.

Mançevski sqaroi se në faqet e reja të internetit, qytetarët do të mund të parashtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje në një afat të caktuar nga institucioni përkatës. Ai tha se gjatë vjeshtës do të fillojnë procedurat e shpalljeve publike dhe se në fillim të vitit të ardhshëm do të jenë në përdorim faqet e reja të internetit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.