BALLKANI

Maqedoni e Veriut, zjarri në Koçan "nën kontroll"

Kryebashkiaku Nikollço Iliev tha se nga zjarri janë djegur dy shtëpi, por shtoi se përhapja e tij drejt qendrës së qytetit është parandaluar

Adnan Idriz   | 03.08.2021
Maqedoni e Veriut, zjarri në Koçan "nën kontroll" Foto: Abdulbesar Ademi / AA

Koçani

Zjarri rreth qytetit të Koçanit në Maqedoninë e Veriut është nën kontroll, tha kryebashkiaku Nikollço Iliev, i cili doli në terren së bashku me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një prononcim për mediat, Iliev tha se nga zjarri janë djegur dy shtëpi, por shtoi se përhapja e tij drejt qendrës së qytetit është parandaluar.

“Mbetet të jemi në kujdestari me zjarrfikësit për lokalizimin e zjarrit”, tha Iliev.

Ai deklaroi se zjarri u përhap për shkak të barit të thatë dhe erës së fortë.

“Organet zyrtare do të japin informacion se si filloi zjarri. Gjëja më e rëndësishme është që qytetarët të dinë se ata janë në duar të sigurta. Ky është një mesazh që ne duhet ta dërgojmë fuqishëm. Do të bëjmë gjithçka që duhet”, u shpreh Iliev.

“Kemi një zjarr tjetër para nesh, është në pjesën malore, por tani për tani, përparësia jonë është qyteti dhe vendbanimet”, shtoi ai.

Ndërkaq, kryeministri Zaev tha se të gjithë janë të bashkuar dhe bëjnë gjithçka që është e mundur për të vënë nën kontroll zjarret, dhe se përparësi është jeta e njerëzve.

“Kemi nëntë persona që kanë thithur tym dhe po trajtohen në spital. Shteti do të gjejë mënyrë për të kompensuar dëmet materiale. Solidariteti në vend dhe i gjithë sistemi përmes Qendrës për Menaxhimin e Krizave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim me zjarrfikësit po funksionojnë”, tha Zaev.

Ndër të tjera, ai informoi se 13 vatra zjarri kanë shpërthyer në gjithë vendin dhe se do të qëndrojnë në Koçan për të bërë vlerësime mbi funksionimin e helikopterëve në gjithë vendin.

Zaev tha se helikopterë nga Bullgaria dhe Serbia do të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve nesër.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se askush nuk është lënduar nga zjarri, por se rreth dhjetë persona në Koçani kanë kërkuar ndihmë për shkak të thithjes së tymit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın