BALLKANI

Maqedoni e Veriut, shënohet dita ndërkombëtare e personave të verbër

Shoqata e të verbërve organizoi një tryezë të rrumbullakët me temë "Marrëveshja e Marakeshit, përfitimet për njerëzit që nuk mund të lexojnë shtypin standard"

Abdula Berisha  | 15.10.2019 - Përdıtësım : 15.10.2019
Maqedoni e Veriut, shënohet dita ndërkombëtare e personave të verbër ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Shoqata e të verbërve në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka shënuar 15 tetorin, Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, që njihet nga Kombet e Bashkuara (OKB) si simbol i personave të verbër, raporton Anadolu Agency (AA).

Lidhja Kombëtare e të Verbërve organizoi një tryezë të rrumbullakët me temë "Marrëveshja e Marakeshit, përfitimet për njerëzit që nuk mund të lexojnë shtypin standard", ku të pranishëm ishin Spase Dodevski, koordinatori kombëtar për zbatimin e Konventës së OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, zv/ministri për punë dhe politikë sociale, Gönül Bayraktar, si dhe përfaqësues të institucioneve tjera.

Sekretari i Lidhjes Kombëtare të të Verbërve, Sterja Dimov, tha se 15 tetori shënohet në më shumë se 184 shtete në botë. Në deklaratë për media, ai gjithashtu foli edhe për problemet me të cilat përballen personat me shikim të dëmtuar dhe për kërkesat e shoqatës të cilën e përfaqëson.

"Ka një numër të madh të problemeve me të cilat përballen. Duhet të ndërmerren shumë gjëra. Fillimisht ajo që ne e kërkojmë është një qendër rehabilitimi për personat e verbër, të jetë nën përkujdesje shtetërore dhe të mbështesë të gjithë ata që ndoshta më vonë humbin shikimin", tha Dimov.

Dimov tha se nëse Marrëveshja e Marakeshit ratifikohet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kjo do të nënkuptonte se personat me shikim të dëmtuar do të kenë mundësi të pajisen me libra në format audio dhe libra në alfabetin Braille.

Duke folur për vështirësitë në lëvizje dhe infrastrukturën e duhur për personat me shikim të dëmtuar, ai tha se ligjet janë të mira por duhet të zbatohen, duke u bërë thirrje institucioneve lokale që të respektojnë ligjin kur ndërtojnë apo riparojnë rrugët.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.