Ekonomi, BALLKANI

Maqedoni e Veriut, sektori i hotelerisë nesër në protestë përpara Ministrisë së Financave

Oda për Turizëm dhe Hoteleri tha se nesër do të protestojë përpara Ministrisë së Financave për të treguar publikisht pakënaqësinë me situatën aktuale

Husamedin Gina   | 19.04.2021
Maqedoni e Veriut, sektori i hotelerisë nesër në protestë përpara Ministrisë së Financave Foto: Husamedin Gina / AA

Shkup

Sektori turistiko-hotelerik për shkak të situatës jashtëzakonisht të vështirë në të cilën ndodhet si pasojë e krizës shëndetësore, nesër në mesditë do të protestojë përpara Ministrisë së Financave, raporton Anadolu Agency (AA).

Oda për Turizëm dhe Hoteleri në një konferencë për media tha se nesër do të protestojë përpara Ministrisë së Financave për të treguar publikisht pakënaqësinë me situatën aktuale.

Perica Gollomeiq, anëtar i Odës turistiko-hotelerike tha se nesër do të protestojnë përpara Ministrisë së Financave, ku menaxhohen paratë në Thesarin e shtetit.

"Me protestën dëshirojmë të tregojmë publikisht pakënaqësinë tonë me gjendjen në të cilën jemi, por edhe të paralajmërojmë me zë të lartë dhe të qartë se shkatërrimi i këtij sektori duhet parë përmes prizmit të humbjes së një numri serioz të vendeve të punës si dhe mbylljes së shumë subjekteve afariste prej të cilave ekzistojnë familje të tëra”, tha Gollomeiq.

Duke theksuar se po hyjnë në vitin e dytë, në të cilin kriza shëndetësore është më e keqe në krahasim me atë paraprak, Gollomeiq tha se gjithnjë e më shumë ndërmarrje të mëdha po mbyllen ndërsa të punësuarit po mbesin pa burim të ekzistencës.

“Më shumë se një vit pritëm që institucionet kompetente të mësojnë dhe të fillojnë mirë ta menaxhojnë krizën e koronavirusit dhe t’i kuptojnë kërkesat tona për mbështetje të mbijetesës sonë", tha Gollomeiq.

Për të shpëtuar veprimtarinë hotelerike, siç theksoi Gollomeiq kërkohet ndihmë e njëhershme financiare për të gjitha objektet e regjistruara hotelerike në tre kategori në bazë të numrit të të punësuarve në vitin 2020, ndihmë të njëhershme financiare për objektet e regjistruara hotelerike në të cilat tashmë një vit u ndalohet veprimtaria primare dhe të cilat me muaj nuk kanë kurrfarë ndihme, si dhe vërtetimin e moratoriumit gjegjësisht riprogramimin me grejs periudhë të kredive nga bankat komerciale dhe kredive nga Banka Zhvillimore, derisa nuk lejohen të punojnë pa kufizime.

Agjencitë turistike kërkojnë ndihmë të njëhershme të pakthyeshme financiare si dhe vazhdimin e afatit të vauçerëve turistikë që nuk janë përdorur.

Mes tjerash, ata kërkojnë që vauçerët e masës qeveritare "Pushime në vend" të përdoren vetëm përmes agjencive turistike në mënyrë që hotelet, agjencitë, guidat dhe transportuesit të mund të mbulohen.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın