BALLKANI

Maqedoni e Veriut, seanca konstituive parlamentare do të mbahet javën e ardhshme

Siç tha Xhaferi, deputetëve, mysafirëve dhe përfaqësuesve të mediumeve gjatë hyrjes në ndërtesën e Kuvendit do t'u matet temperatura e trupit dhe në të gjitha hyrjet do të sigurohen mjete për dezinfektim

Ekip  | 29.07.2020 - Përdıtësım : 30.07.2020
Maqedoni e Veriut, seanca konstituive parlamentare do të mbahet javën e ardhshme

Shkup

Kreu i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka bërë të ditur se ka nënshkruar Aktvendimin për caktimin e seancës së parë konstitutive të përbërjes së re parlamentare, e cila do të mbahet më 4 gusht, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Duke e konsideruar gjendjen e re të krijuar me pandeminë COVID-19 dhe në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, seanca konstitutive do të zhvillohet sipas protokolleve dhe kritereve që janë përcaktuar në koordinim paraprak me kryetarin e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, Zharko Karaxhovski, me një qëllim të vetëm që të zvogëlohet rreziku nga përhapja eventuale e infektimit nga koronavirusi", njoftoi Xhaferi.

Siç tha ai, deputetëve, mysafirëve dhe përfaqësuesve të mediave gjatë hyrjes në ndërtesën e Kuvendit do t'u matet temperatura e trupit dhe në të gjitha hyrjet do të sigurohen mjete për dezinfektim.

"Pasi bëhet fjalë për rrethana të jashtëzakonshme edhe mbajtja e distancës së detyrueshme fizike është e domosdoshme ndërmjet deputetëve. Deputetët do të jenë në distancë përkatëse dhe do t'u sigurohet pajisje mbrojtëse", njoftoi Xhaferi, duke theksuar se seanca konstituive nuk do të mbahet në sallën plenare si zakonisht, por në një sallë tjetër më të madhe, respektivisht në sallën e njohur si Kupola e Madhe.

Kujtojmë se më 25 korrik, KSHZ shpalosi rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik të këtij viti, sipas së cilave koalicioni "Mundemi" (LSDM) fitoi 46 mandate, koalicioni i VMRO-DPMNE-së 44 mandate, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) 15 mandate, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 mandate, E Majta 2 mandate dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) fitoi 1 mandat.

Këto zgjedhje u zhvilluan në kushte të pandemisë së koronavirusit (COVID-19), andaj votimi zgjati tre ditë. Më 13 dhe 14 korrik votuan personat e prekur nga COVID-19 dhe ato në vetizolim si dhe personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, personat në shtëpi pleqsh, të burgosurit dhe personat e zhvendosur në Qendrën e Personave të Zhvendosur. Ndërkaq, më 15 korrik votuan të gjithë qytetarët e tjerë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın