BALLKANI, Koronavirusi

Maqedoni e Veriut, rritet në 30 numri i të vdekurve nga COVID-19

Numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut është rritur në 30

Abdula Berisha  | 08.04.2020 - Përdıtësım : 08.04.2020
Maqedoni e Veriut, rritet në 30 numri i të vdekurve nga COVID-19

Shkup

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka informuar se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 4 persona nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke e çuar numrin e viktimave në 30, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kumtesën e ministrisë thuhet se një pacient 73-vjeçar ka ndërruar jetë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup dhe një tjetër person 44-vjeçar është gjetur i vdekur në Kavadar ndërsa në mostrën e marrë pas vdekjes, ai ka rezultuar pozitiv në COVID-19.

Në statistikën e sotme të ministrisë është regjistruar edhe një rasti i vdekjes së një pacienti, i cili mbrëmë ndërroi jetë rrugës për tek spitali "8 Shtatori".

Në një kumtesë të veçantë të dërguar së fundmi, Ministria e Shëndetësisë ka informuar se ka humbur jetën edhe një paciente 27-vjeçare nga Kumanova. Ajo më 30 mars në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup lindi një foshnje mashkull, i cili është negativ në COVID-19.

Më 31 mars, pacientja u transferua në Klinikën e Sëmundjeve Infektive për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe frymëmarrjes së rënduar.

Nga ministria informojnë se në 24 orët e fundit janë regjistruar 18 raste të reja me koronavirus. Prej tyre, 7 janë në Shkup, 4 në Prilep, nga dy në Kumanovë dhe Manastir ndërsa nga një rast është regjistruar në Kavadar, Krushevë dhe Koçani.

Me rastet e reja, numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend arrin në 617, prej të cilëve 35 janë shëruar.

Shkupi është qyteti me numrin më të madh të të infektuarve në vend, me gjithsej 261 raste, ndërsa vijojnë Kumanova me 130 dhe Dibra me 49, ndërsa teste pozitive në COVID-19 janë regjistruar në pothuajse të gjitha qytetet në vend.

Në kumtesën e ministrisë thuhet se në 24 orët e fundit janë realizuar 351 teste të koronavirusit ndërsa numri i përgjithshëm i testeve të bëra në vend është 6.230.

Nga sot, në Maqedoninë e Veriut hyjnë në fuqi masat e reja të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, duke kufizuar lëvizjen e lirë brenda javës nga ora 16:00 deri në orën 05:00 ndërsa ditëve të fundjavës duke filluar nga e premtja në orën 16:00 deri të hënën në orën 05:00.

Më 18 mars, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, me qëllim lehtësimin e luftës kundër përhapjes së koronavirusit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.