BALLKANI

Maqedoni e Veriut, me "Lulen e Srebrenicës" përkujtohen viktimat e gjenocidit

Parku në fshatin Orizare e Epërme të Velesit, të banuar me boshnjakë, u rregullua në formën e "Lules së Srebrenicës" për të përkujtuar viktimat e gjenocidit të vitit 1995

Admir Fazlagikj  | 11.07.2020 - Përdıtësım : 12.07.2020
Maqedoni e Veriut, me "Lulen e Srebrenicës" përkujtohen viktimat e gjenocidit Foto: Admir Fazlagikj/AA

Veles

Me rastin e 25 vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës në fshatin Orizare e Epërme të Velesit, të banuar me boshnjakë, një pjesë e hapësirës në parkun e fshatit është rregulluar në formën e "Lules së Srebrenicës", raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i komunitetit lokal të Orizares së Epërme, Enver Kartalloviç në një prononcim për AA tha se "Lulja e Srebrenicës" është një projekt i zbatuar në bashkëpunim me Komunën e Velesit.

"Për banorët boshnjakë nga Orizare e Epërme, kjo Lule e Srebrenicës është gjesti i yni i vogël dhe simbolik, i cili mendoj se dërgon një mesazh të fuqishëm jo vetëm këtu, por shumë më gjerë, e ajo është se edhe pas 25 vjetësh boshnjakët nga kjo zonë nuk e kanë harruar gjenocidin dhe e ndajnë dhimbjen me familjet e të gjithë viktimave të këtij gjenocidi", tha ai.

Sipas Kartalloviçit, Lulja e Srebrenicës ka rëndësi të madhe për banorët e Orizares së Epërme.

"Rëndësia e saj reflektohet në faktin se kjo lule do t'u kujtojë brezave të ardhshëm se një gjenocid u krye kundër popullit tonë boshnjak në korrik të vitit 1995 dhe do të jetë një lloj lidhje me boshnjakët nga Bosnja e Hercegovina dhe më gjerë. Falënderojmë autoritetet lokale të Velesit për këtë gjest dhe për mundësinë që në këtë mënyrë të respektojmë në mënyrë simbolike viktimat e gjenocidit”, shtoi Kartalloviç.

Në qershor, Komuna e Veles, si njëra nga komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut ku jeton një numër i konsiderueshëm i boshnjakëve, pranoi kërkesën për të shënuar 25 vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës.

Nismëtarët e këtij propozimi janë Nexhad Mehmedoviç, zv/ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Komuniteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Almira Papiç, Presidente e Shoqatës së Boshnjakëve "Shadrvan", dhe aktivistja Senida Çizmiç.

Me kalimin e viteve, shoqatat boshnjake në Maqedoninë e Veriut kanë organizuar ngjarje të shumta, duke përfshirë Marsin Tradicional të Paqës për të përkujtuar genocidin e Srebrenicës, ndërsa këtë vit, marshimi dhe tubimi masiv nuk është mbajtur për shkak të situatës me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.