BALLKANI

Maqedoni e Veriut, marrëveshje granti për rindërtimin e sallave sportive në shkolla

Mjetet e pakthyeshme janë në vlerë prej 3 milionë eurosh dhe janë të destinuara për rindërtimin e 30 sallave sportive në shkollat fillore dhe të mesme dhe për blerjen e pajisjeve për 50 salla sportive në shkollat fillore

Edıta Zekjırovıkj   | 17.05.2022
Maqedoni e Veriut, marrëveshje granti për rindërtimin e sallave sportive në shkolla Foto: Edıta Zekjırovıkj / AA

Shkup

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shaqiri, dhe zëvendësguvernatori i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Tomáš Boček, nënshkruan një marrëveshje granti, e cila përfshin mjete të pakthyeshme për rindërtimin e palestrave në shkollat fillore dhe të mesme në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Mjetet e pakthyeshme janë në vlerë prej 3 milionë eurosh dhe janë të destinuara për rindërtimin e 30 sallave sportive në shkollat fillore dhe të mesme dhe për blerjen e pajisjeve për 50 salla sportive në shkollat fillore.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, falënderoi Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës për dhënien e mjeteve për mbështetje nga vendet donatore: Suedia, Norvegjia, Austria dhe Gjermania, si dhe delegacioni i Bashkimit Evropian nga Shkupi për mbështetjen aktive që e japin.

“Për ne si vend në zhvillim me një buxhet mjaft të kufizuar, kjo shumë është një mbështetje e rëndësishme dhe ju siguroj se mjetet do të përdoren siç duhet në interes të fëmijëve dhe sipas analizave që kemi bërë si Ministri në periudhën e kaluar është treguar se ku dhe sa dhe në cilat shkolla është prioriteti më i lartë të investohet për të ofruar kushte më të mira për orë sportive por edhe për rekreacion pas orëve”, tha ministri Shaqiri.

Shaqiri shtoi se mjetet do të investohen në shkolla si nga zonat urbane ashtu edhe nga ato rurale, që do të thotë se nuk ka prioritet në komunë apo shkollë në asnjë bazë, përveç pas inspektimit dhe vlerësimit se duhet rindërtim.

Zëvendësguvernatori i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Tomáš Boček, tha se ky projekt do të përmirësojë infrastrukturën arsimore të një numri të madh studentësh.

"Rritja e aksesit në arsim dhe perceptimi i rezultateve arsimore dhe zhvillimi ekonomik janë prioritete të larta të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe për këtë arsye do të paraqesë kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me autoritetet e Maqedonisë së Veriut në fushën e arsimit", tha Boček.

Steffen Hudolin, përfaqësues i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, theksoi se është me rëndësi të madhe nxitja e aktivitetit fizik të fëmijëve përmes sistemit arsimor.

“Ne po ashtu do t'i kushtojmë vëmendje dhe do të jetë një prioritet i lartë që të bëjmë një qasje gjithëpërfshirëse, që fëmijët me nevoja të veçanta të jenë pjesë dhe të përdorin këto ambiente, të cilat do të rinovohen me ndihmën tonë”, tha Hudolin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.