BALLKANI

Maqedoni e Veriut, kryediplomati Osmani prezanton konceptim e "Diplomacisë ekonomike"

Osmani theksoi se ai më parë kishte njoftuar se ambiciet e tij në katër vitet e ardhshme janë që diplomacia të marrë një komponent shtesë, përkatësisht një tipar të ri ekonomik, që siç e quajti ai, një rol më praktik, më të dukshëm dhe më fitimprurës

Admir Fazlagikj  | 12.11.2020 - Përdıtësım : 12.11.2020
Maqedoni e Veriut, kryediplomati Osmani prezanton konceptim e "Diplomacisë ekonomike" Foto: Umeys Sulejman / AA

Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka prezantuar konceptin e ri të Diplomacisë Ekonomike, që siç njoftoi ai, buron nga përparësitë e misionit të mandatit të ministrisë që drejton ai, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën tematike për media, ministri Osmani theksoi se ai më parë kishte njoftuar se ambiciet e tij në katër vitet e ardhshme janë që diplomacia të marrë një komponent shtesë, përkatësisht një tipar të ri ekonomik, që siç e quajti ai, një rol më praktik, më të dukshëm dhe më fitimprurës.

Për atë qëllim, njoftoi Osmani, në kudër të Ministrisë së Punëve të Jashtme është krijuar një plan veprimi i cili u prezantua dhe miratua nga qeveria.

"Koncepti i ri i diplomacisë ekonomike do të bazohet në një strategji të qartë dhe prezice për marrëdhëniet ekonomike me vendet e huaja, potencialet e eksportit, fuqinë punëtore në dispozicion, objektet, tokën dhe burimet e tjera për investime të huaja. Në bazë të këtyre inputeve do të përcaktohet përmbajtja dhe qëllimet gjeografike të diplomacisë ekonomike, si dhe qasja e ashtuquajtur 'tailor-made', e përshtatur për secilin vend dhe rajon", tha Osmani.

Siç theksoi ai, stafi i profilizuar ekonomikisht, përkatësisht këshilltarët ekonomik do të drejtohen në ato vende ku ka potencial real për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, në vendet me potencial më të madh për investime, në vendet që janë gjeografikisht të afërta ose që kanë shprehur interes ekonomiko-gjeografik.

Ndër të tjera, Osmani njoftoi se këshilltarët ekonomikë do të zgjidhen nga radhët e diplomatëve të lartë nga Ministria e Punëve të Jashtme, ekspertë nga sektori privat dhe publik, të cilët do të trajnohen për tiparet dhe karakteristikat e ekonomisë, specifikat e tregut, kapacitetet e ekonomisë sonë dhe mundësitë e sektorit të turizmit.

Në fazën e parë, bazuar në analizën e ekspertëve, do të synohet disa vende evropiane dhe jo-evropiane me potencialin më të madh për bashkëpunim. Këto vende do të paraqiten si një pilot-projekt i diplomacisë ekonomike, ku përvoja dhe suksesi do të shërbejnë si një shembull për zgjerimin e mëtejshëm të projektit në vendet e tjera të synuara.

Osmani: Marrëveshje e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, garanci për tejkalimin e të gjitha dallimeve

Në konferencën për media, Osmani u pyet edhe për marrëdhëniet maqedono-bullgare para takimit ministror të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), që do të mbahet më 17 nëntor.

I pyetur "nëse mund të gjendet një zgjidhje për çështjet e hapura pavarësisht kërkesave përfundimtare nga pala bullgare", Osmani tha se ende po bisedojnë dhe se nuk mund ta "paragjykojë rezultatin".

"Çështja është shumë komplekse, periudha është shumë e shkurtër. Qasja jonë është se në këtë proces do të punojmë deri në minutën e fundit për të argumentuar pikëpamjet tona mbi këtë çështje, për t'i afruar pritjet e ndryshme në këtë proces. Ndjenja ime është se zgjidhja është të rivendosim besimin se Marrëveshja e fqinjësisë së mirë është instrumenti i vetëm dhe është garanci për tejkalimin e të gjitha dallimeve. Megjithatë, ne po bisedojmë, nuk mund ta parashikoj rezultatin, ka ende disa ditë deri në përpjekjen e parë", deklaroi Osmani.

Sipas tij, kjo çështje është me interes për të dyja vendet fqinje.

"Do të bëjmë gjithçka të mundur brenda një përfaqësimi dinjitoz të interesave të shtetit për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, të vetëdijshëm se kjo çështje është edhe në interes të Bullgarisë dhe dështimi, sa është dështim për ne, po aq është dështim për Bullgarinë, për BE-në dhe për axhendën e BE-së", theksoi Osmani.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.