BALLKANI

Maqedoni e Veriut, kërkohet shtyrja e plotë e zbatimit të ligjit për qeset plastike

"Me këto ndryshime ligjore preket drejtpërdrejt ekzistenca e 32 kompanive dhe 600 punëtorëve, duke mos përfshirë bashkëpunëtorët e jashtëm si furnizues të lëndëve të para, distributorë e të ngjashme", tha Kaçeva

Husamedin Gina   | 02.12.2021
Maqedoni e Veriut, kërkohet shtyrja e plotë e zbatimit të ligjit për qeset plastike Foto: Husamedin Gina / AA

Shkup

Grupi i prodhuesve dhe përpunuesve të qeseve pranë Shoqatës së Odave Ekonomike kërkuan shtyrje të plotë të zbatimit të Ligjit për menaxhimin e paketimit dhe mbeturinave të paketimit për shkak se cenohet ekzistenca e 32 kompanive me gjithsej 600 punëtorë, raporton Anadolu Agency (AA).

Grupi i prodhuesve dhe përpunuesve të plastikës pranë Shoqatës së Odave Ekonomike të Maqedonisë sot në një konferencë për media i shpalli sfidat me të cilat përballet ky sektor për shkak të hyrjes në fuqi të ndryshimeve të reja ligjore me të cilat rritet çmimi i shitjes së qeseve okso-biodegradueshme.

Kryetarja e Grupit për prodhues dhe përpunues të qeseve plastike, Kaçeva tha se kërkojnë shtyerje të plotë të zbatimit të Ligjit për menaxhimin e paketimit dhe mbeturinave nga paketimi sepse është miratuar pa konsultim me sektorin privat dhe prek një industri të tërë.

"Me këto ndryshime ligjore preket drejtpërdrejt ekzistenca e 32 kompanive dhe 600 punëtorëve, duke mos përfshirë bashkëpunëtorët e jashtëm si furnizues të lëndëve të para, distributorë e të ngjashme", tha Kaçeva.

Duke theksuar se kompensimi prej 15 denarë për një qese duhet të hiqet sepse nuk ka logjikë tregu, Kaçeva tha se çmimi i qeseve në Serbi është 7.5 denarë ndërsa në Greqi 9 denarë.

Ajo ndër të tjera shtoi se është e nevojshme të ndërhyhet në dispozitat penale, sepse gjobat për tregtarët nëse nuk mbajnë evidencë të rregullt për shitjen e qeseve janë deri në 180 mijë euro.

Nënkryetari i Shoqatës së prodhuesve të masave plastike, Aleksandar Borizovski tha se janë anuluar të gjitha porositë e mëdha për qese nga tregjet dhe konsumatorët. Sipas tij, prodhimi do të bie për 90 për qind.

Në pyetjen e gazetarëve nëse kanë filluar me largimin e punëtorëve, Borizovski tha se tashmë punëtorët janë paralajmëruar se do të largohen nga puna.

Kujtojmë se nga 1 dhjetori ka hyrë në fuqi ndalesa për përdorimin e qeseve plastike ndërsa qeset që nuk janë të dëmshme për mjedisin do të shiten me çmim të ri prej 15 denarëve.


​​​​​​​


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın