BALLKANI, Koronavirusi

Maqedoni e Veriut, dhurohen 85 respiratorë për repartet infektive

"Pa dhënë një pjesë nga vetja, ndërsa më e pakta që mund të japim është t'i respektojmë masat dhe rregullat, nuk mund të arrijmë qëllimin kryesor, të fitojmë betejën me COVID-19", tha Spasovski

Abdulbesar Ademi   | 22.05.2020
Maqedoni e Veriut, dhurohen 85 respiratorë për repartet infektive

Shkup

Disa kompani nga sektori civil në Maqedoninë e Veriut kanë ndarë një donacion të përbërë prej 85 respiratorëve jo-invaziv që do të përdoren nga repartet infektive në spitalet në mbarë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Në pranim-dorëzimin e donacionit të pranishëm ishin edhe kryeministri i vendit, Oliver Spasovski, zv/kryeministri i qeverisë për çështje evropiane, Bujar Osmani si dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili falënderoi kompanitë dhe theksoi se ky donacion ka një rëndësi të madhe në këtë periudhë kur vendi po ballafaqohet me koronavirusin e ri (COVID-19). 

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të donacionit, foli edhe kryeministri Spasovski, i cili tha se këto respiratorë jo-invaziv, që kanë një rëndësi të madhe në këtë periudhë të pandemisë, do të përdoren edhe pasi të fitohet beteja me virusin.

Spasovski tha se lufta e vendit kundër virusit COVID-19 po ecën në mënyrën e duhur, por theksoi se për ta fituar përfundimisht këtë betejë ka edhe shumë punë dhe se ajo fitore do të varet nga vetë qytetarët.

Ai apeloi tek qytetarët se për ta fituar betejën dhe për t'u kthyer në normalitet duhet t'u përmbahen masave për distancim social dhe të mbajnë pajisjet mbrojtëse kundër virusit.

"Pa dhënë një pjesë nga vetja, ndërsa më e pakta që mund të japim është t'i respektojmë masat dhe rregullat, nuk mund të arrijmë qëllimin kryesor, të fitojmë betejën me COVID-19", tha Spasovski.

Ndërkaq, Osmani nga ana e tij falënderoi kompanitë e sektorit privat, siç i quajti ai, "kompani me përgjegjësi shoqërore" të cilat po i bashkangjiten vendeve të botës që sot tregojnë solidaritet për të ndihmuar sistemet shëndetësore për t'u ballafaquar me këtë pandemi.

"Pandemia nxorri në sipërfaqe solidaritetin ndërmjet vendeve dhe njerëzve. Pandërprerë në aeroportin e Shkupit po arrijnë avionë dhe ndihma për sistemin shëndetësor dhe ja tani po i bashkangjitet edhe sektori privat", tha Osmani, duke shtuar se në këtë mënyrë duke u solidarizuar individualisht dhe kolektivisht do të tejkalohet shumë shpejtë kjo situatë.

Së fundmi, autoritetet shëndetësore të vendit njoftuan se në vend numri i të prekurve nga COVID-19 është rritur në 1.921, prej të cilëve 1.387 janë shëruar dhe 112 kanë vdekur.

Kujtojmë se të dielën më 24 maj në Maqedoninë e Veriut do të shënohen dy festa shtetërore, gjegjësisht festa muslimane e Fitër Bajramit dhe ajo kombëtare "Shën Kirili dhe Metodi", ndërsa më 25 maj, e hënë, do të jetë ditë jo-pune për të gjithë qytetarët e vendit.

I pyetur nga gazetarët, Spasovski njoftoi se sot në ora 17:00 do të mbahet seanca e qeverisë, ku mes tjerash do të shqyrtohet edhe propozimi i Komisionit për Sëmundje Infektive që gjatë kësaj fundjave ora policore të zbatohet nga e shtuna në ora 19:00 deri të martën në ora 05:00.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.