BALLKANI

Maqedoni e Veriut, deri tani janë regjistruar mbi 500.000 qytetarë

“Zëdhënësi Arsovski informoi se në pajtim me dje deri në ora 20:00 janë regjistruar 512.457 qytetarë, gjithsej 158.519 amvisëri dhe 212.464 banesa”, thuhet në njoftimin qeveritar

Furkan Abdula   | 14.09.2021
Maqedoni e Veriut, deri tani janë regjistruar mbi 500.000 qytetarë Foto: AA/Arkiv

Shkup

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski, dhe drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Apostol Simovski, në konferencën për shtyp informuan për aktivitetet rrjedhëse lidhur me regjistrimin e popullatës, amvisërive dhe banesave në Maqedonisë së Veriut në vitin 2021, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Zëdhënësi Arsovski informoi se në pajtim me dje deri në ora 20:00 janë regjistruar 512.457 qytetarë, gjithsej 158.519 amvisëri dhe 212.464 banesa”, thuhet në njoftimin qeveritar.

“Qeveria falënderon për mbështetjen që qytetarët e japin për zbatimin me sukses të regjistrimit. Jehona masive tregon për ndërgjegjësimin dhe përgjegjësinë e secilit prej nesh që të kontribuojë në mbledhjen e të dhënave që janë të rëndësishme për krijimin e të ardhmes së përbashkët. Në bazë të të dhënave të mbledhura do të bëhen analiza, do të merren vendime dhe saktë do të planifikohet zhvillimi i vendit”, theksoi Arsovski.

Ai theksoi se qeveria pret që regjistrimi të vazhdojë me dinamikën e paraparë dhe të gjitha aktivitetet me sukses të përfundojnë deri më 30 shtator.

Drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Simovski, theksoi se regjistrimi po zhvillohet me intensitetin e dëshiruar, pa kurrfarë ngecje dhe pa kurrfarë problemesh.

“Do t’më lejoni që edhe unë të falënderoj të gjithë qytetarët që masovikisht iu përgjigjen operacionit tonë dhe janë ndihma jonë më e madhe dhe më e çmueshme në realizimin e tij”, theksoi Simovski.

Ai njoftoi të dhënat e regjistrimit të popullsisë për ditën e djeshme në të cilën ishin regjistruar 93.235 persona, 29.491 amvisëri dhe 40.155 banesa.

Simovski tha se këto janë rezultate të shkëlqyera, duke pasur parasysh se dje ishte një ditë pune ndryshe nga fundjava kur pritet që këto shifra té jenë edhe më të larta.

Ai theksoi se është jashtëzakonisht i kënaqur me ritmin me të cilin bëhet regjistrimi, si dhe me punën e regjistruesve, duke theksuar se me këtë ritëm regjistrimi do të kryhet me sukses brenda afatit të përcaktuar.

Simovski theksoi se sfidat e vogla teknike që ekzistonin në fillim të zbatimit të këtij operacioni statistikor janë tejkaluar dhe se regjistrimi po kryhet për disa ditë pa ndonjë problem me intensitet jashtëzakonisht të kënaqshëm.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Simovski theksoi se numri i refuzimeve është jashtëzakonisht i vogël dhe i parëndësishëm, përkundër fushatës negative që kishte dhe akoma është gjatë gjithë kohës që synon parandalimin e kryerjes së regjistrimit.

“Qytetarët nuk i nënshtrohen kësaj propagande dhe vetë të dhënat e thonë këtë, nuk ka nevojë të kërkojmë mënyra të tjera për të thënë se qytetarët janë vërtet të përfshirë në mënyrë aktive. Vetë të dhënat për personat e regjistruar mendoj se thonë gjithçka”, tha Simovski, duke theksuar se edhe atje ku ka refuzim fillestar, shkohet sërish dhe bisedohet me ata persona.

“Shkon instruktori ynë shtetëror, shkon komisioni i regjistrimit dhe deri më tani praktika tregon se njerëzit e kuptojnë rëndësinë e procesit dhe në fund ata regjistrohen. Ne ende nuk po aplikojmë asnjë sanksion dhe shpresojmë se kjo nuk do të ndodhë deri në fund të regjistrimit, gjegjësisht do të jemi në gjendje t'i bindim këta njerëz se propaganda që drejtohet kundër regjistrimit është në thelb një sistem dezinformimi", tha Simovski.

Lidhur me regjistrimin e amvisërive, drejtori Simovski tha se nuk mund të pritet që të gjithë anëtarët e familjes të jenë gjithmonë në shtëpi, por nuk mund të ketë regjistrim pa dokument, gjegjësisht, kyçe për një person që të regjistrohet është numri i librit amë.

Ai theksoi se askush nuk mund të regjistrohet pa dokument, ndërsa aty ku mungon ndonjë anëtar i amvisërisë, dakordohet koha kur personi do të jetë i pranishëm.

Regjistrimi i Popullsisë, Familjeve dhe Banesave në Maqedoninë e Veriut në vitin 2021 po mbahet në periudhën nga 5 deri më 30 shtator.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın