BALLKANI

Lista Serbe: Refuzimi i votave të serbëve të zhvendosur, i motivuar politikisht

PZAP njoftoi sot se bazuar në 52 ankesa u vendos që të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përsërisë numërimin e votave në 1.472 vendvotime

Agim Sulaj  | 11.11.2019 - Përdıtësım : 11.11.2019
Lista Serbe: Refuzimi i votave të serbëve të zhvendosur, i motivuar politikisht Foto: AA/Arhiv

Prishtinë

Partia Nisma Socialdemokrate e ka mirëpritur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për heqjen e votave të ardhura nga Serbia nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, por Lista Serbe e ka konsideruar këtë veprim të motivuar politikisht raporton Anadolu Agency (AA).

Nisma Social Demokrate (Nisma), e cila është pjesë e koalicionit Nisma-AKR-PD, përshëndeti vendimin e PZAP-së për heqjen e votave nga Serbia nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit dhe vendimin për rivotim në 1.472 vendvotime. 

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, njoftoi se koalicioni i tyre, pa votat e ardhura me postë nga Serbia, do ta kalojë pragun dhe do t’i arrijë 5 për qind të votave, për t’u futur në Kuvendin e Kosovës me gjashtë deputetë. 

Nga ana tjetër, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, shkroi në profilin e tij në Facebook se ky vendim i PZAP-së për heqjen e votave të ardhura nga Serbia dhe për rinumërim në disa vendvotime, është i paligjshëm.

“Gjithsesi ky vendim nuk është përfundimtar dhe ende ka kohë që Supremja (Gjykata Supreme) të japë një mendim tjetër”, shtoi ai. 

Në të njëjtën kohë në një reagim, Lista Serbe tha se me këtë vendim u tregua se PZAP synonte refuzimin e këtyre votave qysh më herët. 

Sipas tyre, vendimi për eliminimin e votave të ardhura me postë nga Serbia, është bërë me motive politike.

"Vendimi për të mos lejuar serbët e zhvendosur të drejtën të zgjedhin se kush do të përfaqësojë interesat e tyre dhe të luftojë për kthimin e tyre është thjesht i motivuar politikisht dhe nuk ka asnjë bazë ligjore. Sidomos nëse të gjithë e dimë se zërat e të zhvendosurve kanë ardhur gjithmonë në të njëjtën mënyrë, por këtë herë është e qartë se personave të zhvendosur duhet t'u tregohet se nuk janë të mirëpritur dhe se si serbë ata mund të konsiderojnë se të drejtat e tyre nuk do të respektohen ", thuhet në reagimin e tyre. 

Lista Serbe shtoi se vendimi u mor tek “pasi u bë e qartë se pothuajse se të gjitha këto vota i përkasin Lista Serbe”. 

PZAP njoftoi sot se bazuar në 52 ankesa u vendos që të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përsërisë numërimin e votave në 1.472 vendvotime. 

Gjithashtu, Paneli zgjedhor miratoi ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD duke urdhëruar KQZ-në të heq përfundimisht votat e votuesve jo-kosovarë që erdhën nga Serbia. 

Koalicioni Nisma-AKR-PD vazhdimisht ka kundërshtuar numërimin e votave të ardhura nga Serbia duke i quajtur ato si të “kontrabanduara”. 

PZAP pati një afat ligjor prej 72 orësh për të marrë vendime për të gjitha ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe deputetët që u paraqitën pasi u njoftuan me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja më 7 nëntor.

Tani, subjektet politike të pakënaqura dhe kandidatët kanë të drejtë të bëjnë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 24 orëve. E Gjykata ka 72 orë kohë për t’ju përgjigjur. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın