BALLKANI

Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzon në Kuvend kërkesën për mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit

"Sot në fund të orarit të punës, LDK ka dorëzuar kërkesën për mocion të mosbesimit me 46 nënshkrime", thuhet në njoftimin e LDK-së

Agim Sulaj  | 20.03.2020 - Përdıtësım : 21.03.2020
Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzon në Kuvend kërkesën për mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit

Prishtinë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur se ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Albin Kurti me nënshkrimet e 46 deputetëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

LDK ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi për media se veprimin e tillë e ka bërë pasi kryetari i partisë, Isa Mustafa, i ka dhënë një "mundësi shtesë kryeministrit Kurti që të reflektojë në heqjen e plotë dhe pa kushte të tarifës".

"Përkundër vendimit të Kryesisë së LDK-së, kryetari Mustafa i ka dhënë një mundësi shtesë Kryeministrit Kurti që të reflektojë sot në heqjen e plotë dhe pa kushte të tarifës si dhe ta kthejë në detyrë ministrin Veliu, me kërkim falje për veprimin e ulët ndaj tij. Por, Kryeministri nuk reflektoi. Prandaj, sot në fund të orarit të punës, LDK ka dorëzuar kërkesën për mocion të mosbesimit me 46 nënshkrime", shkruan në njoftimin e LDK-së, e cila është në koalicion qeverisës me partinë e kryeministrit Kurti, Lëvizjen Vetëvendosje.

Sot në mëngjes, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që ta heq plotësisht tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe "ashtu siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës" si dhe ta kthejë në pozitën e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun nga LDK, të cilin Kurti e shkarkoi më 18 tetor me arsyetimin se "përhapi panik të panevojshëm për koronavirus tek qytetarët".

Për t’u plotësuar kushtet për mbajtjen e një seance pas kërkesës së mocionit të mosbesimit për Kryeministrin, duhen 40 apo 1/3 nënshkrime të deputetëve, ndërsa për t'u miratuar ky mocion në seancë nevojitet të votojnë së paku 61 nga gjithsej 120 deputetët e Kuvendit Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditës, jo me vonë se pesë ditë dhe jo më herët se dy ditë nga dita e parashtrimit të tij. Bazuar në këto rregulla kushtetuese, seanca do të duhet të thirret jo më afër se të hënën dhe jo më larg se deri të mërkurën e javës së ardhshme.

Ndërsa "nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje", dhe më pas presidenti do të ketë dy zgjedhje; t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme ose të kërkojë nga Lëvizja Vetëvendosje që ta japë emrin e kandidatit të ri për kryeministër.

Në rast se mocioni i mosbesimit dështon, një tjetër i tillë mund të parashtrohet vetëm pas 90 ditëve të ardhshme.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet e fundit parlamentare të 3 tetorit 2019, me 30 deputetë në Kuvend, ndërsa LDK ka dalë e dyta me rezultat të ngusht me VV-në, me 29 deputetë në Kuvend.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.