BALLKANI

"LDK nuk do t’i tërheqë njëanshëm ministrat nga detyrat në Qeveri"

Në orët e vona mbrëmë, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka marrë vendim për shkarkimin e zëvendëskryeministrit të parë Avdullah Hotit, i cili është nga radhët e LDK-së

Agim Sulaj   | 26.03.2020
"LDK nuk do t’i tërheqë njëanshëm ministrat nga detyrat në Qeveri"

Prishtinë

Pas shkarkimit të mbrëmshëm të zëvendëskryeministrit të parë në Qeverinë në detyrë të Kosovës, Avdullah Hoti nga ana e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë se nuk do t’i tërheqë njëanshëm ministrat e mbetur në Qeveri “kur po ballafaqohemi me pandeminë Covid-19”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mustafa në një shkrim në rrjetet sociale ka thënë se “si kryetar i LDK-së, nuk do t'i tërheq njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat e LDK-së nga detyrat e tyre në Qeverinë në dorëheqje”.

“Pasi që koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë me mocion votëbesimi me votat e mbi 2/3 e deputetëve, mbetet në vullnetin e kryeministrit në detyrë, z.Kurti, se a do të vazhdojë të punojë me ta gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjidhet qeveria tjetër, apo do të bëjë veprime tjera, ashtu siç e liroi z. Avdullah Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë mbrëmë para mesnate”, ka shkruar Mustafa.

Kurti mori vendim mbrëmë për shkarkimin e zëvendësit të tij të parë, Avdullah Hotit i cili është nga radhët e LDK-së, pasi u votua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga ai.

“Z. Avdullah Hoti, lirohet nga posti i Zëvendëskryeministrit të Parë në detyrë”, shkruan në vendimin e shpërndarë për medie, teksa bëhet e ditur se ai hyn në fuqi pas nënshkrimit nga kryeministri.

Arsyet e këtij shkarkimi nuk janë bërë të qarta nga ana e kryeministrit në detyrë Kurti, por dihet se Hoti ka qenë vazhdimisht për heqjen e tarifës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina (ashtu siç ka kërkuar SHBA) por pa vendosje të reciprocitetit me Serbinë, ide e cila ka qenë ndesh me atë të Kurtit.

Mbrëmë, LDK, me një mocion të mosbesimit të iniciuar në Kuvendin e Kosovës pas një debati që zgjati më shumë se 10 orë deputetët me shumicë votash votuan pro mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti duke rrëzuar atë.

Iniciativa e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë pjesë e së cilës ishte bashkë me Vetëvendosjen, erdhi pasi kryeministri tani në detyrë, Kurti, hoqi nga detyra e ministrit, ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun me arsyetimin se përhapi panik të panevojshme tek qytetarët rreth përhapjes së koronavirusit si dhe qëndroi në një linjë me presidentin dhe kundër kryeministrit rreth idesë për shpalljen apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme në vend për shkak të pandemisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.