BALLKANI

Kuvendi i Kosovës miratoi vendimin e Qeverisë për masat emergjente për furnizim me energji elektrike

Masat e Qeverisë i referohen ndihmës për qytetarët, ndalimit të prodhimit të kriptovalutave dhe masave për kursimin e energjisë elektrike

Zylfije Adem Jakupi  | 04.08.2022 - Përdıtësım : 05.08.2022
Kuvendi i Kosovës miratoi vendimin e Qeverisë për masat emergjente për furnizim me energji elektrike Foto: Erkin Keçi - AA

Prishtinë

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetët miratuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat emergjente për furnizimin me energji elektrike. Për vendimin votuan 61 deputetë, nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi para deputetëve se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është e nevojshme. Ajo tha se në tregun evropian ka pasur një rritje enorme të çmimit të energjisë elektrike, që do të ndikojë edhe në Kosovë në muajt e ardhshëm. Ajo po ashtu tha se për shkak të krizës energjetike mund të pritet që disa vende evropiane të ndalojnë eksportin e energjisë elektrike.

“Duke marrë parasysh situatën energjetike në vend dhe me qëllim të tejkalimit të kësaj situate, Qeveria propozon të shpallë masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji të vlefshme në një kohëzgjatje maksimale deri në 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”, ka thënë Rizvanolli.

Masat e Qeverisë i referohen ndihmës për qytetarët, ndalimit të prodhimit të kriptovalutave dhe masave për kursimin e energjisë elektrike.

Megjithatë, opozita deklaroi se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për furnizimin me energji elektrike është e panevojshme dhe mund të ndikojë në çmimin e energjisë elektrike.

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, deputeti Ferat Shala tha se në dhjetor të vitit të kaluar, kur qeveria shpalli për herë të parë masat emergjente energjetike, partia e tij i mbështeti ato masa, por shtoi se më vonë nuk është raportuar se çfarë efekti kishin ato masa. Ai ka pyetur Qeverinë se pse deri më tani nuk janë shfrytëzuar 90 milionë eurot e ndara vitin e kaluar për zbutjen e krizës energjetike.

“Në pjesën referuese të ministrisë, ama bash asnjë nuk dëgjuam që ishte emergjente. Jemi në gusht dhe kapacitetet tona gjeneruese e kanë kohën më ideale, më të mirë të mundshme. Pse sot gjendje emergjente kur ne kemi kapacitet prodhues vendor. A doni të shisni energji?”, pyeti Ferati.

Deputetja e partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku, tha se Qeveria e Kosovës duhet të merret me furnizim të sigurt me energji elektrike, që të mos ketë sërish kufizime drastike të energjisë elektrike. Sipas saj, këto masa emergjente nuk janë të saktësuara, sepse nuk flasin për ndarje të mjeteve financiare, subvencione, sigurim importi, investime në energji alternative, por janë deklarata të thata pa asnjë ndikim në terren.

Deputeti i opozitës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka kritikuar Qeverinë duke thënë se nuk paraqesin qasje me strategji ndaj problemeve, por zgjidhje e përkohshme.

Deputetët e opozitës nuk i kanë mbështetur masat e propozuara, por nuk kanë votuar as kundër. Kuvendi mund t'i zgjasë masat emergjente të miratuara deri në 180 ditë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın