BALLKANI, Koronavirusi

Kuvendi i Kosovës miraton në lexim të parë projektligjin për parandalimin e pandemisë COVID-19

Osmani tha se ky projektligj synon të mbrojë shëndetin publik në vend, si dhe të sigurojë një mundësi që organet e zbatimit të ligjit të kryejnë detyrat e tyre pa shkelur kushtetutën dhe ligjin

Zylfije Adem Jakupi   | 07.08.2020
Kuvendi i Kosovës miraton në lexim të parë projektligjin për parandalimin e pandemisë COVID-19 Foto: Kuvendi i Kosovës

Prishtinë

Kuvendi i Kosovës me shumicë votash në lexim të parë ka miratuar projekligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Për projektligjin, që u mbështet nga grupet parlamentare dhe partitë në pushtet e në opozitë, 77 deputetë votuan në favor, njëri votoi kundër dhe njëri nuk mori pjesë në votim.

Menjëherë pas votimit u propozua që leximi i dytë i këtij projektligji të realizohet me procedurë të përshpejtuar, në mënyrë që ligji të miratohet dhe të hyjë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur.

Projektligji, i cili përmban vetëm tetë nene, thotë se "ligji synon të krijojë hapësirën e nevojshme ligjore që autoritetet të luftojnë dhe parandalojnë pandeminë".

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, si iniciatore, deklaroi se ky projektligj mbeti peng i politikës së përditshme, megjithëse ishte propozuar në mars të këtij viti në fillimin e pandemisë COVID-19.

Osmani tha se ky projektligj synon të mbrojë shëndetin publik në vend, si dhe të sigurojë një mundësi që organet e zbatimit të ligjit të kryejnë detyrat e tyre pa shkelur kushtetutën dhe ligjin. Ajo po ashtu theksoi se ky ligj do të pushojë së zbatuara automatikisht kur pandemia të përfundojë.

Në Kosovë aktualisht pandemia po menaxhohet dhe trajtohet në bazë të Ligjit për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve infektive.

Gjatë seancës së sotme parlamentare, shumë deputetë të opozitës akuzuan qeverinë për keqmenaxhim të pandemisë së koronavirusit.

Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kërkoi nga deputetët të mos politizohet situata dhe të mos përdoren për qëllime politike vdekjet dhe rastet e zbuluara me koronavirus.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë tre pacientë të ri vdiqën nga koronavirusi dhe u raportuan 181 raste të reja me këtë virus. Që nga shpërthimi i pandemisë, vendi ka regjistruar 9.869 raste dhe 303 vdekje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın