BALLKANI

Kurti: Krerët e komunave serbe në Kosovë t’i largojnë pengesat që çojnë në pikat kufitare me Serbinë

Kryeministri Kurti thotë se Kosova është e interesuar për zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme të lëvizjes së qytetarëve mes dy shteteve, me tabela zyrtare dhe pa tabela të përkohshme

Agim Sulaj  | 22.09.2021 - Përdıtësım : 23.09.2021
Kurti: Krerët e komunave serbe në Kosovë t’i largojnë pengesat që çojnë në pikat kufitare me Serbinë Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në veri të Kosovës ta largojnë bllokadën e formuar me automjete në rrugët që çojnë për në dy pika kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, raporton Anadolu Agency (AA).

Kurti, në një konferencë për media të mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, tha se është njoftuar se pengesat e vendosura në rrugë që shpijnë në pikat kufitare 1 dhe 31 në Jarinjë dhe Bërnjak, janë duke u bërë me kamionë të cilët janë pronë e institucioneve komunale dhe “kjo sigurisht që përbën shkelje dhe keqpërdorim të pronës publike”.

Në këtë mënyrë, Kurti ftoi krerë të komunave me shumicë serbe dhe qytetarët serbë, që t’i largojnë pengesat nga rruga.

“I ftoj kryetarët e komunave në veri që të tërheqin automjetet e institucioneve komunale nga rruga dhe ftoj po ashtu edhe grupin e organizuar të qytetarëve serbë që të largohen nga dy rrugët regjionale përkatësisht nga bllokimi i tyre, sepse asisoj ata kanë bllokuar vetveten dhe lëvizjen e tyre. Pra, nuk po i bllokojnë vetëm të tjerët por edhe vetveten”, tha Kurti.

Ai tha se vënie e ligjshmërisë në vend është në interes të të gjithëve, prandaj ai tha se është i bindur që me kalimin e kohës po e kuptojnë të gjithë.

Kurti tha se refuzimi i Serbisë për ta vazhduar dialogun pas vendimit për reciprocitet me tabelat e automjeteve nga pala kosovare, nuk i bën dobi as Serbisë dhe as serbëve.

Ai thotë se Kosova është e interesuar për zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme të lëvizjes së qytetarëve mes dy shteteve, me tabela zyrtare dhe pa tabela të përkohshme.

“Bisedimet nuk duhet të kenë alternativë apo plane të tjera dhe ne po e theksoj jemi të interesuar për zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme të lëvizjes së qytetarëve mes dy shteteve tona. Pra, të lëvizim me tabela zyrtare dhe t’u ofrojmë qytetarëve një perspektivë të re bazuar në të drejtat e njeriut, të drejtat civile si dhe të drejtat, vlerat dhe parimet demokratike evropiane”, tha Kurti.

Kryeministri kosovar tha se njësia speciale e policisë, në pikat kufitare 1 dhe 31 është vetëm për të ruajtur policët kosovarë në pikat kufitare dhe për t’u kujdesur për qarkullimin normal.

Kosova me vendim të 20 shtatorit nuk do t’i lejojë veturat me tabela serbe në Kosovë. Të gjithë ata që kanë vetura me regjistrim të Serbisë duhet të marrin tabela të përkohshme, vlefshmëria e të cilave zgjat 60 ditë dhe kushtojnë 5 euro, për t’u futur dhe qarkulluar në territorin e Kosovës.

Kjo ka ngjallur reagim nga serbët e Kosovës të cilët kanë ngritur tendë në afërsi të kufirit të Kosovës me Serbinë dhe kanë bllokuar rrugët me kamionë në formë proteste mbi vendimin e Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme ka sugjeruar më herët qytetarët të cilët planifikojnë të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, që “mundësisht të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim, për shkak të krijimit të pengesave të mundshme”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.