BALLKANI

Kurti: Gjyqësori të merret me nënshkrimin e marrëveshjes së fshehtë mes Thaçit dhe NATO-s

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një konference të jashtëzakonshme për media tha se Hashim Thaçi, si kryeministër në një marrëveshje të fshehtë me NATO-n, kishte garantuar se FSK nuk mund të shkon në "veri te Kosovës" pa lejen e KFOR-it

Zylfije Adem Jakupi   | 26.02.2020
Kurti: Gjyqësori të merret me nënshkrimin e marrëveshjes së fshehtë mes Thaçit dhe NATO-s

Prishtinë

Marrëveshja e fshehtë e ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me NATO-n është shkelje e kushtetutës, e cila duhet të adresohet nga gjyqësori, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Kurti njoftoi se ai i kishte dërguar një letër kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeprokurorit të Kosovës, Aleksandër Lumezi lidhur me marrëveshjen e fshehtë që Thaçi, si kryeministër ka nënshkruar në mënyrë të njëanshme me NATO-n më 19 prill 2013. Me këtë marrëveshje, theksoi Kurti, Thaçi garantoi që Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk mund të shkojnë në "veri të Kosovës" pa lejen e KFOR-it.

Ai theksoi se ishte e rëndësishme të zbulohej se kush kërkoi një marrëveshje të tillë duke mos besuar të jetë kërkuar nga Brukseli, por se beson se një gjë të tillë e ka kërkuar Serbia.

"Fshehja e një marrëveshjeje të tillë që nga 19 prilli 2013, kur menduam se kishte vetëm një marrëveshje, dhe ishin dy, ne e konsiderojmë si shkelje flagrante dhe kjo duhet të adresohet nga gjyqësori. Unë do të doja të shfrytëzoja këtë mundësi për të theksuar pozicionin tonë në partneritet me NATO-n dhe KFOR-in", tha Kurti dhe njoftoi se nesër do të takohet me KFOR-in.

Ai rikujtoi se deputetët ishin në dijeni vetëm të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. Marrëveshja, e cila ka 15 pika, 6 prej të cilave kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës më 27 qershor 2013. Kurti shprehu shqetësimin se anëtarët e Kuvendit të Kosovës nuk ishin informuar për marrëveshjen e dytë.

"Kjo marrëveshje është një moment vendimtar në të cilin u shpik termi 'Kosova e Veriut' dhe thuhet se FSK nuk do të shkojë atje pa pëlqimin paraprak të KFOR-it, i cili nuk është aprovuar nga institucionet e Kosovës dhe për të cilin nuk është informuar Kuvendi dhe tregon se Asiociacioni i komunave me shumicë serbe dhe shkëmbimi i territoreve nuk janë dy gjëra të ndryshme", tha Kurtti.

Kurti tha se dokumentin e marrëveshjes së fshehur e mori nga një zyrtar i NATO-s dhe nuk e gjeti atë në zyrën e kryeministrit.

Ai tha se dialogu me Serbinë do të përgatitet mirë dhe se ai do ta udhëheq atë si kryeministër, por se me presidentin e vendit duhet të harmonizojnë politikën e jashtme të Kosovës.

Së bashku me informacionin në lidhje me letrën e dërguar nga kryeministri Kurti drejtuar kryeparlamentares Osmani, presidentit Thaçi dhe kryeprokurorit Lumezi, një dokument i hollësishëm i quajtur "Opinioni" iu dorëzua sot mediave, duke thënë se fshehja e një marrëveshjeje me NATO-n mund të jetë shkelje e rëndë e Kushtetutës së Kosovës dhe se kushtetuta nuk përjashton mundësinë e shkarkimit të presidentit për shkeljet që ai bëri para se të bëhej president.

Ai më tej theksoi se "duke marrë parasysh provat në dispozicion të Zyrës së Kryeministrit si dhe dispozitat relevante të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ekzistojnë baza të mjaftueshme për të konstatuar 'prima facie' se presidenti Thaçi, gjatë kohës kur ishte kryeministër ka bërë shkelje të rënda të Kushtetutës dhe se kryerja e këtyre shkeljeve justifikon inicimin e procedurës kushtetuese për shkarkimin e tij nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın