BALLKANI

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë vizitë zyrtare në Arabinë Saudite

“Bashkëpunimi politik midis të dy vendeve duhet të përkthehet në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe të investimeve saudite, të cilat janë të mirëpritura në Shqipëri, nënvizoi kryetari Ruçi”, thuhet në njoftim

Fatjon Cuka   | 18.02.2020
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë vizitë zyrtare në Arabinë Saudite

Tiranë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, me ftesë të kryeparlamentarit saudit, Abdullah Ibn Muhammad Al Sheikh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, është edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Socialiste të Shqipërisë (PS), Taulant Balla, ndërsa në fokus të takimeve janë aspektet e bashkëpunimit dypalësh në disa fusha.

“Takimi i parë i mirëseardhjes ishte me kryetarin e Parlamentit saudit Abdullah Ibn Muhammad Al Sheikh ku thelbi i bisedës ishte procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, mbështetja dhe solidariteti shumë i madh ndërkombëtar, si dhe u diskutua mbi aspekte të bashkëpunimit dypalësh politik, ekonomik e tregtar si edhe mbi intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Në njoftim theksohet se kryetari i Parlamentit të Arabisë Saudite u shpreh se mbështetja e Arabisë Saudite do të zgjerohet së shpejti edhe në një mbështetje financiare të drejtpërdrejtë bilaterale.

“Bashkëpunimi i shkëlqyer politik midis të dy vendeve duhet të përkthehet në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe të investimeve saudite, të cilat janë të mirëpritura në Shqipëri, nënvizoi kryetari Ruçi”, thuhet më tej në njoftim.

Gjatë takimit, kryeparlamenatri saudit, “vuri në dukje vullnetin e palës saudite, posaçërisht të Mbretit të Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz Al Saud” për zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gjatë takimit është biseduar edhe për aspektet e bashkëpunimit dypalësh në fushën e turizmit dhe transportit ajror, ndërsa theksohet se së shpejti do të fillojë të funksionojë edhe linja direkte midis të dy vendeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın