BALLKANI

Kryetari i BFI-së i Maqedonisë së Veriut mesazh urimi me rastin e muajit Ramazan

Në një deklaratë me shkrim, kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu, duke bërë të ditur se nesër është dita e parë e muajit të shenjtë të Ramazanit, theksoi se në këtë ditë fillon kryerja e obligimit të shenjtë të agjërimit të ditëve të tij

Dzihat Aliju  | 12.04.2021 - Përdıtësım : 13.04.2021
Kryetari i BFI-së i Maqedonisë së Veriut mesazh urimi me rastin e muajit Ramazan Foto: AA/Arhiv

Shkup

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, ka dërguar një mesazh urimi me rastin e muajit Ramazan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim, Fetahu, duke bërë të ditur se nesër është dita e parë e muajit të shenjtë të Ramazanit, theksoi se në këtë ditë fillon kryerja e obligimit të shenjtë të agjërimit të ditëve të tij.

"Muaji i Ramazanit po na vjen me vlera dhe begati të shumënumërta, me të cilat formojmë dhe ngritim lartë personalitetin tonë të besimtarit të denjë", tha kreu i BFI-së duke deklaruar se:

"Zbritja e Kur'anit Famëlartë në këtë muaj, si dhe agjërimi i ditëve të tij për hir të All-llahut Fuqiplotë, forcon vetëdijen tonë mbi Zotin, moralin, durimin, sakrificën, paqen, tolerancën, humanizmin dhe bujarinë. E gjithë kjo hap dyert e lutjeve tona drejt Madhërisë së Zotit, për të pastruar të menduarit, zemrat dhe shpirtërat tonë, dhe më në fund për të merituar faljen dhe ndihmën e të Madhit Zot, sepse i dashuri ynë Muhamedi a.s. ka thënë: 'Kush agjëron Muajin e Ramazanit me besim të plotë dhe me vetëdije të lartë, All-llahu Fuqiplotë i falë të gjitha mëkatet e mëparshme'".

Ai theksoi se edhe ky Ramazan e ka gjetur njerëzimin në gjendje të jashtëzakonshme nga shkaku i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

"Prandaj kujdesi i nivelit të lartë dhe disiplina precize e jona për të respektuar të gjitha rekomandimet me qëllim mbrojtjen nga kjo sëmundje, do të jetë një vlerë e jona në këtë muaj të shenjtë për të dhënë kontributin e vazhdueshëm për tejkalimin e kësaj gjendjeje, andaj, le të jetë ky muaj një inspirim i gjallë për ngritjen e vetëdijes sonë për të dalë nga kjo gjendje e vështirë shëndetësore", u shpreh Fetahu në mesazhin e tij.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.