BALLKANI

Kryeministri Zaev takoi homologun grek Micotakis në Athinë

"Kryeministri Zaev në takimin me Micotakis theksoi se partneriteti i krijuar në bazë të besimit dhe raporteve miqësore mes dy vendeve, u transformua në aleancë e cila u vërtetua edhe me anëtarësimin e vendit tonë në NATO", njoftojnë nga Qeveria

Admir Fazlagikj  | 16.09.2020 - Përdıtësım : 16.09.2020
Kryeministri Zaev takoi homologun grek Micotakis në Athinë Foto: Qeveria e Maqedonisë së Veriut/AA

Shkup

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot në Athinë realizoi takim pune me kryeministrin e Greqisë, Kirjakos Micotakis të cilin takim dy bashkëbiseduesit e vlerësuan si të rëndësishëm dhe kontribut shtesë për avancimin e raporteve mes dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç theksohet në njoftimin e Qeverisë, në takim të pranishëm ishin edhe zv/kryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u theksua se me Marrëveshjen e Prespës, Maqedonia e Veriut dhe Greqia krijuan model për zgjidhjen e suksesshme të çështjeve të hapura mes vendeve fqinje.

"Kryeministri Zaev në takimin me Micotakis theksoi se partneriteti i krijuar në bazë të besimit dhe raporteve miqësore mes dy vendeve, u transformua në aleancë e cila u vërtetua edhe me anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe se Greqia mbetet lobist dhe mbështetës i fuqishëm i vendit tonë në procesin vijues të bisedimeve me BE-në, i cili duhet të fillojë me konferencën e parë ndërqeveritare gjatë udhëheqjes së Gjermanisë me Këshillin e BE-së", thuhet në njoftim.

Dy kryeministrat në takim biseduan edhe për bashkëpunimin e ardhshëm dhe për zbatimin e dispozitave nga Plani i Veprimit nga Marrëveshja e Prespës, mes të cilave prioritet ka vazhdimi i punës së komiteteve të përbashkëta të ekspertëve për çështje historike, arsimore dhe arkeologjike, si dhe puna e Komitetit për dialog të biznesit për gjetjen e zgjidhjeve për markat dhe brendet të mbrojtura dhe për nxitje shtesë të politikave të cilat duhet ti lehtësojnë relacionet e biznesit.

Në këtë drejtim në takim u bisedua për krjimin e kushteve për bashkëpunim më të madh ekonomik dhe intensifikimin e interkoneksionit për gaz natyror ndërmjet dy vendeve për të cilin ekziston marrëveshje përfundimtare e cila duhet së shpejti të nënshkruhet.

"Kryeministrat Zaev dhe Micotakis folën edhe për ballafaqimin me pandeminë me COVID-19 dhe ranë dakord se solidariteti dhe bashkëpunimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor në këtë drejtim duhet të vazhdojë dhe të mbindërtohet me kyçje të rajonit në politikat e BE-së për rimëkëmbje ekonomike të vendeve nga Evropa", informojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Më herët gjatë ditës, Zaev u takua me presidenten e Greqisë, Katerina Sakelaropulu, ndërsa mori pjesë në panelin kushtuar ardhmërisë së Ballkanit Perëndimor në konferencën e revistës “Economist”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.