Fatjon Cuka
29 Tetor 2019•Përditësim: 30 Tetor 2019
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Athinë ka realizuar një takim me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rama është takuar me homologun grek në kuadër të qëndrimit të tij në Greqi për samitin mes Bashkimit Evropian(BE) dhe Ligës Arabe.
Në një njoftim nga kryeministria e Shqipërisë theksohet se kryeministri Rama është pritur në një takim me frymë pozitive nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
“Në këtë takim u diskutuan të gjitha çështjet e përbashkëta. Kryeministri i Shqipërisë theksoi se pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, Shqipëria do të vazhdojë zbatimin e reformave me të njëjtën vendosmëri. Në të njëjtën kohë është në interesin e Shqipërisë po aq sa është në interesin e Greqisë fqinje, theksoi Rama, të diskutohen të gjitha çështjet me interes të përbashkët dhe të forcohet bashkëpunimi mes të dyja palëve”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Mitsotakis theksoi se Greqia mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa kohë këto vende përmbushën të gjitha kërkesat për anëtarësim.
“Kryeministri grek theksoi se marrëveshja bilaterale për njohjen e ndërsjellë të patentave do të kalojë së shpejti për miratim në parlamentin grek. Kryeministri i Shqipërisë ftoi Kryeministrin e Greqisë për të vizituar Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën ai e pranoi”, theksohet më tej.
Kujtojmë se në prill të vitit 2018, Shqipëria dhe Greqia mbajtën raundin e parë të bisedimeve për çështjet e hapura mes dy vendeve.
Që nga ajo kohë, janë mbajtur disa takime dhe raunde bisedimesh mes delegacioneve, me fokus arritjen e marrëveshjes për kufizimin e zonave detare, por edhe për çështje të tjera.