Shëndetësi, BALLKANI

Kryeministri Rama merr dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ripërsëritur thirrjet ndaj qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19

Fatjon Cuka   | 02.12.2021
Kryeministri Rama merr dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19 Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë dozën e tretë të vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), ndërkohë ka ripërsëritur thirrjet ndaj qytetarëve që të vaksinohen, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas marrjes së vaksinës në qendrën e vaksinimit në ambientet e Stadiumit “Air Albania” në Tiranë, në një deklaratë për mediat kryeministri Rama foli edhe mbi rëndësinë e vaksinimit.

Rama u ka bërë thirrje nëpunësve të administratës publike që të vaksinohen, sepse sipas tij " mund të vijë momenti që t’u ndalohet të shkojnë në punë pa pasur kartelën e vaksinimit online".

"Austria është mbyllur komplet, vende të tjera po marrim gjithfarëlloj masash. Ne kemi bërë çmos të mos ngarkojmë psikologjikisht dhe të mos stresojmë sektorët e jetës këtu në vendin tonë, por duhet të jemi të qartë për një gjë; ne nuk mundemi dot ta lëmë këtë situatë në rrjedhje të lirë, të dalë ku të dalë sepse mbajmë përgjegjësi, siç kemi mbajtur përgjegjësi deri më sot, do vazhdojmë ta mbajmë deri në fund", tha Rama.

Ai u ka bërë thirrje edhe personave që kanë të bëjnë në veprimtarinë e tyre me hapësira publike apo hapësira të mbyllura që të vaksinohen, duke shtuar se mund të vijë momenti që nuk do lejohen të hyjnë nëpër dyqane të pa vaksinuar.

"U them të gjithë atyre që kanë dyqane të vaksinohen sepse mund t’u mbyllet dyqani nëse nuk janë të vaksinuar e kështu me radhë të gjithëve se nuk mund të rrezikojë pjesa më e madhe e popullsisë për shkak se një pjesë tjetër i bën karshillëk shkencës, shëndetit, shëndetit të vet dhe familjarëve të vet", tha Rama.

Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj në seancën parlamentare tha se duke filluar nga sot, të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç mund të vaksinohen me dozën e tretë të vaksinës, gjashtë muaj pasi kanë marrë dozën e dytë.

Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare janë regjistruar gjithsej 200.173 raste pozitive me COVID-19, mes tyre 3.101 persona kanë ndërruar jetë, 190.378 janë shëruar dhe raste aktive aktualisht janë 6.694.

Sipas të dhënave nga autoritetet, në Shqipëri që prej fillimit të vaksinimit në janar janë kryer në total 2.111.797 doza të vaksinës ndaj COVID-19, ku 965.964 janë doza të dyta dhe 70.501 doza të treta. Deri tani kanë mbërritur në Shqipëri 2.663.100 vaksina.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın