BALLKANI

Kryeministri Kurti realizon bisedë telefonike me kancelaren Merkel

Në bisedën midis Kurtit dhe Merkel është diskutuar edhe për luftën ndaj koronavirusit ku “kancelarja premtoi se do ta shqyrtojë mbështetjen ndaj Kosovës për trajtimin e kësaj krize”

Agim Sulaj  | 24.03.2020 - Përdıtësım : 24.03.2020
Kryeministri Kurti realizon bisedë telefonike me kancelaren Merkel Foto: AA/Arhiv

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në një deklaratë të përbashkët të zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Seibert dhe atij të qeverisë kosovare, Përparim Kryeziut, “gjatë bisedës ata shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e ngushta bilaterale, përafrimin e reformave të Kosovës me Bashkimin Evropian (BE), si dhe për situatën në rajon”.

“Kancelarja Merkel i ofroi kryeministrit Kurti mbështetje në luftën kundër korrupsionit dhe programit të gjerë e ambicioz për reforma në vend. Në këtë kontekst, Republika Federale ofroi këshilla specifike nga ekspertë gjermanë”, thuhet në njoftim.

Më tej, thuhet se në bisedën midis Kurtit dhe Merkel është diskutuar edhe për luftën ndaj koronavirusit ku “kancelarja premtoi se do ta shqyrtojë mbështetjen ndaj Kosovës për trajtimin e kësaj krize”.

Gjithashtu siç bën të ditur njoftimi, ata kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për tarifën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina të vendosur në vitin 2018.

“Kancelarja përshëndeti propozim-vendimin e kryeministrit kosovar për heqjen e plotë të tarifës pas datës 1 prill, kjo pas heqjes së tarifës për lëndën e parë në javën që shkoi. Ajo gjithashtu mbështeti një dialog, të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të synojë heqjen e të gjitha pengesave tregtare jo-tarifore midis Serbisë dhe Kosovës. Të dy besojnë se nuk duhet të ketë pengesa në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.

Kancelarja Merkel dhe kryeministri Kurti, thuhet në njoftim, mbështesin rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

"Qëllimi i këtij procesi mbetet “arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese që siguron normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe e cila i shërben popujve të të dy shteteve”, theksoi njoftimi i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.