BALLKANI

Kryeministri Kurti fillon vizitën dyditore në Bruksel, takon homologun belg De Croo

Kryeministri De Croo ritheksoi mbështetjen e Belgjikës për synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës dhe afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian

Agim Sulaj  | 28.04.2021 - Përdıtësım : 28.04.2021
Kryeministri Kurti fillon vizitën dyditore në Bruksel, takon homologun belg De Croo Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës/AA

Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zv/kryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka filluar vizitën zyrtare dy ditore në Bruksel, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Kurti është pritur në takimin e parë bilateral në kuadër të kësaj vizite nga kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo.

Në këtë takim, kryeministri De Croo ritheksoi mbështetjen e Belgjikës për synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës dhe afrimit të vendit me Bashkimin Evropian (BE), si dhe për dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga zv/kryeministri Bislimi dhe ministrja Gërvalla, e falënderoi kryeministrin De Croo për mikpritjen, angazhimin dhe mbështetjen e dhënë Kosovës nga ai dhe shteti belg në rrugëtimin drejt integrimit evropian dhe transatlantik.

Ai e njoftoi kryeministrin belg për përkushtimin dhe prioritetet e qeverisë për forcimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik, si dhe menaxhimin e situatës me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19).

Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti dhe De Croo në takim diskutuan rreth mundësive dhe formave të rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar midis dy vendeve, me vëmendje të veçantë te përfshirja e mërgatës kosovare, e cila është integruar mirë dhe kontribuon në Belgjikë.

Në këtë takim në të cilin mori pjesë edhe i ngarkuari me punë i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel, Astrit Zemaj, është biseduar edhe për vaksinat kundër COVID-19, angazhimin e Qeverisë së Kosovës për sigurimin e tyre dhe mundësitë e mbështetjes së Belgjikës në këtë synim.

Delegacioni kosovar gjatë ditës pritet të takohet edhe me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sasolli, si dhe me komisionarë evropianë "për të diskutuar për tema të ndryshme, jo vetëm të karakterit politik".

Nesër, Kurti pritet të takohet edhe me me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, si dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.