BALLKANI

Kryeministri Kurti diskuton me kryediplomatin e BE-së rreth pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në referendumin në Serbi

“Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë me postë ose nëpërmjet zyrës ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga asnjë vend demokratik”

Agim Sulaj   | 13.01.2022
Kryeministri Kurti diskuton me kryediplomatin e BE-së rreth pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në referendumin në Serbi

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka zhvilluar një bisedë telefonike me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në referendumin për ndryshime kushtetuese në Serbi dhe për votimin e tyre përmes postës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Me këtë rast, Kurti tha se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është se nuk mund të ketë referendum në Kosovë, por se serbët me shtetësi të dyfishtë (të Kosovës dhe Serbisë) mund të votojnë me postë ose nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, e cila gjendet në ndërtesën e Delegacionit të BE-së në Prishtinë.

“Në një telefonatë me Josep Borrell përcolla qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë me postë ose nëpërmjet zyrës ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga asnjë vend demokratik”, ka shkruar Kurti në twitter.

Më 16 janar, Serbia do të mbajë referendum për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë, ku do të deklarohen nëse pajtohen me ndryshimin kushtetutës në pjesën ku flitet për mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Për këtë, më herët kryeministri Kurti kishte deklaruar se mbajtja e këtij referendumi edhe në Kosovë është shkelje e ligjit dhe Kushtetutës. Më tutje, ai kishte thënë se Serbia ka planifikuar që ta mbajë këtë referendum në Kosovë në mes të datave të rëndësishme në vend.

Ai tha se më 15 janar është përvjetori i masakrës së Reçakut, që në vazhdimësi e mohojnë zyrtarët e Serbisë deri te presidenti i tyre. Teksa 17 janari është 40-vjetori i vrasjes së Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla, Bardhosh dhe Jusuf Gërvalla. Po ashtu është edhe katër vjetori i vrasjes së politikanit serb nga Mitrovica, Oliver Ivanoviq.

Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kishte deklaruar se është informuar jo formalisht se nuk do të lejohet mbajtja e referendumit në Kosovë më 16 janar dhe se do të përpiqet t’i bind institucionet e Kosovës përmes Brukselit që t’i lejojnë qytetarët serbë të votojnë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın