BALLKANI

Kreu i kompanisë 'Aeroportet TAV': Do të vazhdojmë të rritemi me hapa të vendosur në rajon

"Aeroportet janë porta hyrëse në vendet dhe qytetet ku ndodhen. Ato janë një tregues i inxhinierisë, një tregues i arkitekturës dhe një tregues i aftësisë për të financuar", tha Şener

Husamedin Gina   | 16.06.2021
Kreu i kompanisë 'Aeroportet TAV': Do të vazhdojmë të rritemi me hapa të vendosur në rajon Foto: Husamedin Gina / AA - Drejtori ekzekutiv dhe kreu i kompanisë 'Aeroportet TAV', Sani Şener

Shkup

Drejtori ekzekutiv dhe kreu i kompanisë 'Aeroportet TAV', Sani Şener ka deklaruar se ata janë të interesuar për të gjithë tenderët në rajonin e ish-Jugosllavisë dhe se ata do të vazhdojnë të rriten në këtë rajon me hapa të vendosur, raporton Anadolu Agency (AA).

Dje në Shkup, kreu i 'Aeroportet TAV' së bashku me kryeministrin Zoran Zaev morën pjesë në ndarjen e kontratave për 23 komuna ku do të financohet ndërtimi i kanalizimeve dhe rrjeteve të furnizimit me ujë, rrugëve, shkollave dhe kopshteve.

Paratë që kompania turke 'TAV Maqedoni' duhej t'i investojë në ndërtimin e aeroportit në Shtip, me një vendim të qeverisë së Maqedonisë së Veriut janë rialokuar për projektet e infrastrukturës së komunave.

Në një bisedë për AA, Şener njoftoi se një pjesë e parave do të investohen në aeroportet në Shkup dhe Ohër. Siç tha ai, në Shkup do të ketë disa riparime në pistë, ndërsa në Ohër do të zgjerohet terminali.

Ai theksoi se duke pranuar ndryshimin në marrëveshje, me kërkesë të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kompania turke tregoi se ka aftësi të mëdha për të gjetur zgjidhje.

"Siç e dini tashmë, aeroportet janë porta hyrëse në vendet dhe qytetet ku ndodhen. Ato janë një tregues i inxhinierisë, një tregues i arkitekturës dhe një tregues i aftësisë për të financuar. Pas nesh, një numër i madh i investitorëve turq erdhën në Maqedoni dhe bënë investime serioze", tha Şener, duke shtuar se Maqedonia e Veriut është një vend me karakteristika investimi.

Ndër të tjera, duke kujtuar se përveç në Shkup dhe Ohër, po ashtu menaxhojnë edhe aeroportin në Zagreb, Şener tha se ata janë të interesuar për të gjithë tenderët në rajonin e ish-Jugosllavisë dhe se ata do të vazhdojnë të rriten në këtë rajon me hapa të vendosur.

Duke theksuar se qëllimi i tyre është të rrisin numrin e udhëtarëve që vijnë në Maqedoninë e Veriut, Şener tha se ekziston një numër serioz i qytetarëve të këtij vendi që jetojnë në vendet evropiane, si në Gjermani dhe Itali.

Şener kujtoi se me ardhjen e kompanisë TAV në aeroporte numri i pasagjerëve është rritur katër herë. Ai tha se për të rritur numrin e udhëtarëve me rëndësi është që të keni një kompani ajrore të mirë dhe po ashtu edhe një aeroport të mirë.

Ai po ashtu theksoi se me rritjen e udhëtarëve ata synojnë të kontribuojnë në ekonominë e Maqedonisë së Veriut dhe shtoi se fluturimet nga Turqia janë rritur dhe bashkëpunimi është zhvilluar.

Duke theksuar se ekonomia dhe politika janë të ndërlidhura, Şener tha se politika midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë është shumë e mirë dhe shtoi se Turqia mbështet Maqedoninë e Veriut dhe kjo është arsyeja pse njerëzit e biznesit e shohin Maqedoninë e Veriut si një treg të mirë.

Duke kujtuar se kompania 'Aeroportet TAV' menaxhon në Shkup dhe Ohër sipas modelit "ndërto-menaxho-dorëzo", Şener tha se pjesa "dorëzo" nuk ndodh dhe se pastaj fillon periudha e operacioneve me qira, duke shprehur besim se si kompani turke do të vazhdojnë të punojnë këtu për një kohë të gjatë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın