BALLKANI

Kosovë, shpallen rezultatet preliminare për zgjedhjet në komunat veriore

Lista Serbe ka fituar në katër komunat në veri të Kosovës në të cilat u mbajtën zgjedhje të jashtëzakonshme lokale

Agim Sulaj  | 20.05.2019 - Përdıtësım : 21.05.2019
Kosovë, shpallen rezultatet preliminare për zgjedhjet në komunat veriore ( Sasa Djordjevic - Anadolu Agency )

Prishtinë

Janë bërë publike rezultatet preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton KQZ nëpërmjet faqes së saj zyrtare, që të katër komunat, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan e Mitrovicë e Veriut, i ka fituar Lista Serbe me kandidatët e saj për kryetarë.

Në Leposaviq, Zoran Todiq nga Lista Serbe ka marrë 7.015 vota apo 96,6 për qind, Shaqir Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka siguruar 114 vota apo 2,0 për qind, kurse Fisnik Veseli nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 105 vota apo 1,4 për qind.

Në komunën e Zubin Potokut, Srdjan Vuloviq nga Lista Serbe ka marrë 3.995 vota apo 94,5 për qind, Hysen Mehmeti nga PDK ka marrë 123 vota apo 2,9 për qind, ndërsa Liridona Kahrimani nga LVV ka siguruar 110 vota apo 2,6 për qind.

Në Zveçan, Vuçina Jankoviq nga Lista Serbe ka marrë 3.767 vota apo 94,7 për qind, Ilir Peci nga PDK ka marrë 130 vota apo 3,3 për qind, ndërkohë që Avdi Peci nga LVV ka marrë 81 vota apo 2 për qind. 

Në komunën e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq nga Lista Serbe ka marrë 2.333 vota apo 86,2 për qind, Gonxhe Çaushi nga PDK ka marrë 236 vota apo 8,7 për qind dhe Erden Atiq nga LVV ka siguruar 136 apo 5 për qind të votave.

Prokuroria Speciale e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media tha se procesi i votimit është mbyllur pa asnjë incident.

Më herët procesin zgjedhor e ka përshëndetur edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

“Në këto zgjedhje të parakohshme, qytetarët e kësaj ane, dëshmuan pjekuri në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pa ndonjë incident në një proces demokratik, duke votuar për kandidatët që ata besojnë se do t'u shërbejnë interesave të tyre“, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ndryshe, dje u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave veriore me shumicë serbe të Kosovës, në Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna u shpallën në fillim të prillit 2019 nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pasi kryetarët e katër komunave, të gjithë nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje më 27 nëntor të vitit 2018 si reagim ndaj taksës 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe që hynë në Kosovë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.