BALLKANI

Kosovë, Rifat Latifi emërohet ministër i Shëndetësisë

Kryeministri Kurti emëroi Rifat Latifin ministër të ri të Shëndetësisë, pas dorëheqjes së Arben Vitisë në këtë pozitë, për shkak të angazhimit të tij si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës

Agim Sulaj  | 16.11.2021 - Përdıtësım : 17.11.2021
Kosovë, Rifat Latifi emërohet ministër i Shëndetësisë

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka emëruar doktor Rifat Latifin ministër të ri të Shëndetësisë, pas dorëheqjes së Arben Vitisë në këtë pozitë, për shkak të angazhimit të tij si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kurti i cili e prezantoi ministrin e ri Latifi në një konferencë për media në Qeverinë e Kosovës, tha se Latifi ka ardhur së fundi në Prishtinë nga SHBA-ja ku ka jetuar dhe vepruar deri më tani.

Kurti tha se doktor Latifi ka një përvojë të madhe në fushën e shëndetësisë dhe ka përfunduar dy specializime, atë për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji dhe reanimacion në New York.

“Përvoja e tij akademike dhe profesionale përfshinë qendra spitalore dhe universitete me emër në disa shtete të SHBA-së. Për momentin ai punon si profesor dhe drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Kolegjin e Mjekësisë së New Yorkut. Drejtues i Departamentit të Kirurgjisë, spitalin në fëmijë dhe një spitali regjional. Latifi është i angazhuar edhe në telemedicinën ndërkombëtare. Ka punuar në vazhdimësi për promovimin e shëndetësisë në Kosovë. Për angazhimin e tij është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, është autor dhe bashkautor i mbi 350 punimeve shkencore. Latifi është kryetar dhe themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ministri i ri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u zotua se do të angazhohet me gjithë qenien që në mënyrë afatgjate të ngritin standardet mjekësore duke ngritur edukimin dhe trajnimin e gjithë specializimeve dhe ngritjen e aftësive të kapaciteteve njerëzore për hulumtimin në shkenca.

“Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore, ne do të investojmë në rritjen e kualitetit të shërbimeve dhe në këtë mënyrë e shtojmë volumin e shërbimeve mjekësore në Kosovë. Me të ardhura prej këtyre shërbimeve ne riinvestojmë pastaj sërish në kualitet. Ky proces do të ketë dy rëndësi të mëdha për Kosovën. E para, kur të ofrojmë shërbime të ndryshme të rinjve tanë, mjekëve, infermierëve dhe të tjerëve, ngritje profesionale, ardhmëri shkencore ne do ta ndërpresim largimin e trurit mjekësor të Kosovës në vendet tjera të Evropës. Dhe, me ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe me kthimin e trurit të larguar nga Kosova do ta ndërpresim pastaj largimin e pacientëve tanë për në vendet në rajon apo më larg”, tha Latifi.

Sa i përket koronavirusit të ri (COVID-19) dhe situatës aktuale, ministri Latifi tha se pas konferencës do të ketë takim me ish-ministrin Vitia me të cilin do të diskutojë gjerësisht për virusin dhe sfidat që e presin Kosovën në këtë aspekt.

Latifi ka qenë i angazhuar me detyrë publike edhe më herët. Ai në 2009 ishte emëruar këshilltar për shëndetësi i kryeministrit të asaj kohe, Hashim Thaçi.

Që prej largimit të ish-ministrit Arben Vitia, Ministria e Shëndetësisë udhëhiqej nga zv/ministrja Dafina Gexha.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.