BALLKANI

Kosovë, përkujtohet Ibrahim Rugova në 14 vjetorin e vdekjes

“Politika paqësore dhe miqësia me SHBA-në e Perëndimin janë vlera të përhershme të trashëgimisë së Presidentit Rugova”, shkroi presidenti Thaçi

Agim Sulaj  | 21.01.2020 - Përdıtësım : 22.01.2020
Kosovë, përkujtohet Ibrahim Rugova në 14 vjetorin e vdekjes ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot akademi përkujtimore me rastin e përvjetorit të 14-të të vdekjes së presidentit të parë të Kosovës, njëherësh themeluesit të LDK-së, Ibrahim Rugova, raporton Anadolu Agency (AA).

Familja e ish-presidentit Rugova ka marrë pjesë në këtë ceremoni ku kanë qenë edhe qindra anëtarë të LDK-së, deputetë të kësaj partie si dhe qytetarë të shumtë nga vende të ndryshme të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se Kosova e humbi më 21 janar të vitit 2006 njeriun që krijoi idenë e madhe të lirisë dhe pavarësisë. Megjithëse, ai tha se vdekja, nuk e la atë ta shihte “pullazin e shtëpisë së cilën e kishte nisur vetë”.

“Rugova, njeriu i artit letrar dhe i dijeve humane filozofike, u vu në krye të popullit të tij në orë të kthesave historike që po ndodhnin në Evropë, ku muri i perandorisë komuniste po shembej ndërsa shpresa e popujve të shtypur për liri dhe demokraci sapo kishte nisur të shihej”, tha Mustafa.

Ish-presidenti Rugova është përkujtuar edhe nga udhëheqësit e institucioneve të larta të vendit.

Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale tha se nderon “kontributin e madh të tij në rrugëtimin e gjatë dhe të mundimshëm të popullit tonë drejt lirisë dhe pavarësisë”.

“Politika paqësore dhe miqësia me SHBA-në e Perëndimin janë vlera të përhershme të trashëgimisë së Presidentit Rugova”, shkroi Thaçi.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Rugova. Ai tha se “në emër të institucioneve të Kosovës por edhe si njerëz e bashkëpunëtorë nderojmë veprën e tij kulmore”.

“Vepra e tij por edhe vet ndarja fizike nga ne, mbahet në mend gjithë jetën, sepse ka zgjuar gjithë popullin e Kosovës”, shkroi Haradinaj në rrjete sociale.

Gjithashtu edhe kreu i partisë më të madhe të dalë nga zgjedhjet parlamentare të fundit në Kosovë, Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka quajtur ish-presidentin Rugova “njeri racional i pasionuar me gjuhën si histori dhe si institut dhe shqiptar i urtë që e donte popullin e vet ashtu siç është”.

Me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, në mëngjesin e sotëm anëtarë të LDK-së bashkë kanë bërë homazhe tek varri i të ndjerit si dhe kanë vizituar familjen Rugova në lagjen “Velania” në Prishtinë.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Ai mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971, qëndroi gjatë një viti akademik në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në letërsi ndërsa doktoroi në vitin 1984 në Universitetin e Prishtinës për letërsi.

Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë. Më 23 dhjetor 1989 zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004. Ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë më 21 janar 2006 në Prishtinë. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.