BALLKANI

Kosovë: Problemet e komuniteteve pakicë janë probleme edhe të komunitetit shumicë

Politologu Nexhmedin Spahiu tha se analiza e paraqitur ka vlerë sepse tregon problemet që shqetësojnë komunitetin serb, ndërsa problemet e komuniteteve pakicë janë probleme edhe të komunitetit shumicë

Zylfije Adem Jakupi  | 27.02.2020 - Përdıtësım : 28.02.2020
Kosovë: Problemet e komuniteteve pakicë janë probleme edhe të komunitetit shumicë ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Ndonëse i kanë të gjitha të drejtat e garantuara me ligj, serbët e Kosovës përballen me një numër problemesh në jetën e tyre të përditshme, u theksua në një tryezë e rrumbullakët të organizuar nga organizata joqeveritare, raporton Anadolu Agency (AA).

Në tryezën e rrumbullakët u prezantua së pari një analizë e "Vlerësimit të të drejtave dhe lirive në komunitetin serb në Kosovë" nga organizata joqeveritare "Aktiv" me mbështetjen e Qendrës ndërkombëtare "Olof Palme".

Politologu Nexhmedin Spahiu tha se analiza e paraqitur ka vlerë sepse tregon problemet që shqetësojnë komunitetin serb, ndërsa problemet e komuniteteve pakicë janë probleme edhe të komunitetit shumicë.

Spahiu tha se institucionet e Kosovës nuk bënë shumë për integrimin e komunitetit serb, por se edhe serbët nuk e dëshirojnë atë integrim për shkak të presionit nga Beogradi.

"Ka mungesë gatishmërie për të përmirësuar jetën e komunitetit serb në Kosovë, ndërsa kjo ka arsyet e saj, por ne nuk kemi nevojë të pajtohemi me këtë fakt dhe duhet të luftojmë për të ndryshuar këtë situatë. Vetë komuniteti serb duhet të bëjë përpjekje në këtë drejtim dhe natyrisht që shoqëria kosovare duhet ta ndryshojë këtë qasje", tha Spahiu.

Drejtori ekzekutiv i OJQ-së "Aktiv", Miodrag Miliceviç tha se qëllimi i kësaj analize është të sigurojë një përmbledhje të çështjeve dhe problemeve me të cilat përballet komuniteti serb në Kosovë, ndërsa me qëllim tërheqjen e vëmendjes së aktorëve politikë vendorë në Kosovë dhe anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare për të njëjtat.

Duke paraqitur analizën, një nga autorët, Igor Markoviç, tha se sipas një sondazhi të opinionit publik, gjysma e të anketuarve, pohojnë se paqëndrueshmëria aktuale politike është burim dhe kërcënim për sigurinë e tyre personale.

Ai theksoi se të drejtat e gjuhës, liria e lëvizjes, qasja në dokumente dhe siguria fizike janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballen serbët e Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive dhe ish-ministri dhe deputeti i Kosovës, Nenad Rashiç tha se nuk ka vullnet politik për të zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel apo marrëveshjet midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Kjo, sipas mendimit të tij, i përshtatet edhe njërës edhe tjetrës palë që të kenë mbulim për marrëveshjet e ardhshme.

Rekomandimet nga analiza "Vlerësimi i të drejtave dhe lirive në komunitetin serb të Kosovës" iu drejtuan përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın