BALLKANI

Kosovë, mijëra punonjës të sektorit publik protestojnë për miratimin e Ligjit të Pagave

Deri në hyrjen në fuqi të këtij projektligji, protestuesit kërkojnë që Qeveria t’u japë shtesë në paga prej 100 eurove

Agim Sulaj  | 20.05.2022 - Përdıtësım : 21.05.2022
Kosovë, mijëra punonjës të sektorit publik protestojnë për miratimin e Ligjit të Pagave Foto: Erkin Keçi - AA

Prishtinë

Mijëra punonjës të sektorit publik të bashkuar nga sindikatat e tyre kanë protestuar në sheshet e Prishtinës për mos-plotësimin e kërkesës së tyre, miratimit të Ligjit të Pagave për sektorin publik, raporton Anadolu Agency (AA).

Grumbullimi i arsimtarëve, zjarrfikësve e shumë punonjësve të sektorëve tjerë publikë u bë në sheshin "Zahir Pajaziti" nga ku edhe nisi marshi drejt sheshit "Skënderbeu" të kryeqytetit, me flamuj dhe me pankarta me mesazhe të ndryshme si "Vlerësim i punës dhe mundit", "Çka po ndodhë me ligjin e pagave?", "Kryeministër, realizo kërkesat tona, parandalo grevat e përgjithshme", e të tjerë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, kërkoi që sa më shpejtë të miratohet Projektligji për Pagat në Kuvendin e Kosovës.

Ai gjatë fjalës së tij para protestuesve tha se deri në hyrjen në fuqi të këtij projektligji, kërkojnë që Qeveria t’u japë shtesë në paga prej 100 eurove.

"Ne punëtorët dhe punëtoret, i kemi ofruar supet tona për barrën e shtetit, ekonomisë dhe mirëqenies. Ju partneri ynë social, Qeveria e Republikës së Kosovës, e keni barrën e kujdesit për punëtorët dhe punëtorin sepse ju e dini, po aq sa na jemi këtu, jemi shtylla e këtij vendi dhe e dini po ashtu se shtyllat e mbajnë kulmin. Kur shtyllat të shemben nën barrën e rëndë edhe kulmi do të bie’", theksoi Hykolli.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), Rrahman Jasharaj ka thënë se është turp që krerët e shtetit të shëtiten në vende të jashtme dhe të mos jenë pranë kërkesave të punëtorëve.

Ai paralajmëroi veprime sindikaliste të radhës, nëse kërkesat e tyre vazhdojnë të mos përmbushen.

"Qeveri, këta janë njerëzit t'u, këta i kanë sytë drejt teje dhe është turp të qëndroni nën hije, e të qëndroni në Amerikë e gjetkë e të mos dilni këtu e ta thoni të vërtetën para këtyre njerëzve që po rrinë në diell. Dilni dhe flisni çfarë keni për të thënë. Qeveri ne po i lutemi Zotit që të këndelleni dhe t’i realizoni kërkesat tona, në të kundërtën, pas kësaj proteste madhështore, do të ketë veprime edhe më të rënda që ne nuk i duam, por ju si duket po i doni", tha Jasharaj para protestuesve.

Përveç miratimit të Ligjit të Pagave dhe 100 eurot shtesë mbi pagë deri në miratimin e tij, protestuesit kanë kërkuar edhe fillimin e zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor dhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale shtetërore.

Punëtorët e sektorit publik tash e disa vite janë në pritje të miratimit të Ligjit të Pagave i cili do t’i nivelizonte dhe rriste pagat e sektorit publik në bazë të pozitave.

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë. Paga mesatare neto, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 542 euro.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın