BALLKANI

Kosovë-Maqedoni e Veriut, hapet vendkalim i ri kufitar Restelicë-Strazimir

Udhëheqësit e institucioneve të të dyja vendeve u shprehën optimist se ky është hapi i parë për rajonin që ka shumë potencial për turizëm

Agim Sulaj  | 19.07.2021 - Përdıtësım : 20.07.2021
Kosovë-Maqedoni e Veriut, hapet vendkalim i ri kufitar Restelicë-Strazimir Foto: Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës

Prishtinë

Është hapur në pikën Restelicë-Strazimir vendkalimi i ri kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka njoftuar se me hapjen e kësaj pike të re kufitare është mbajtur edhe ceremonia e hapjes me të ftuar nga institucionet e të dyja shteteve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky rajon ndërkufitar gjithmonë ka kultivuar marrëdhënie të veçanta mes banorëve të dy vendeve.

"Bashkëjetesa e mirë e qytetarëve tanë nga dy zonat përkundër kufijve, na shtynë të angazhohemi për lehtësimin e zhvillimit të jetës dhe veprimtarisë së tyre. Duke njohur mirë këtë, jemi sot këtu të angazhuar si dy shtete që të lehtësojmë çdo procedurë që vështirëson zhvillimin dhe bashkëpunimin e tyre", tha Sveçla.

Gjatë kësaj ceremonie ministri Sveçla dhe zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, thanë se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar të adresojë çështje me interes të përbashkët për qytetarët e dy vendeve në mënyrë pro aktive dhe me projekte konkrete.

Ministri Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, theksoi se bashkëpunimi me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës për kalimin kufitar, shënon një gjë shumë të mirë për të dyja vendet, duke përfshirë këtu edhe patrullimet e përbashkëta.

Ministri Spasovski gjithashtu theksoi se bashkëpunimi midis të dyja vendeve deri më tani është i shkëlqyeshëm dhe hapja e sotme e pikës së re kufitare është bërë për kalimin kufitar të sigurt dhe në interes për qytetarët lokal, si dhe për qarkullimin e tyre për çështje ekonomike apo private.

Udhëheqësit e institucioneve të të dyja vendeve u shprehën optimist se ky është hapi i parë për rajonin që ka shumë potencial për turizëm që në të ardhmen do të ndihmojë edhe në zhvillimin e qëndrueshëm rajonal.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut aktualisht kanë dy pikë-kalime kufitare, Hanin e Elezit dhe Glloboqicën. Pikë kalimi kufitar në Han të Elezit është më i frekuentuari nga udhëtarët e të dyja shteteve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.