BALLKANI

Kosovë, kalon në parim Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike

Me 64 vota pro të deputetëve, me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka votuar në parim, në tentimin e shtatë, këtë projektligj

Agim Sulaj  | 12.10.2020 - Përdıtësım : 12.10.2020
Kosovë, kalon në parim Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike Foto: Agim Sulaj / AA

Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike COVID-19, duke i hapur rrugë shqyrtimit të tij në komisionet përkatëse parlamentare. raporton Anadolu Agency (AA).

Për këtë projektligj i cili është vënë në votim për herë të shtatë me radhë në Kuvend, pas gjashtë dështimeve, kësaj radhe ka kaluar në parim me 64 vota pro të deputetëve, me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Në emër të deputetëve nënshkrues, kryetari i Grupit Parlementar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, arsyetoi thirrjen e kësaj seance, duke e konsideruar miratimin e këtij projektligji të një rëndësie të veçantë.

Përfaqësues të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike mbajtën qëndrimet e tyre kundër miratimit të projektligjit, ndërsa më pas fjalën e mori edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Gjatë adresimit të saj, kryeparlamentarja Osmani konfirmoi votën e saj për projektligjin, duke rikujtuar po ashtu se pesë herë e ka dhënë votën pro tij, por, siç tha ajo, jo pse qeveria e ka merituar këtë. Ajo tha se Qeveria, në vend të jepte shembullin e bashkëpunimit me secilin deputet, ekzekutivi ka treguar arrogancë.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, kap vlerën e 385 milionë eurove ndërsa me miratimin e tij të plotë është thënë se do të mundësohet rikuperimi i humbjeve të bizneseve për shkak të pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi i ri (COVID-19).

Me këtë projektligj, kontribut-paguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale të tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, pikë për të cilën pati mospajtime të ndryshme, teksa Fondi Monetar Ndërkombëtar e quajti këtë “zvogëlim të pensioneve”.

Me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, po kështu Ministria e Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kritere të përcaktuara nga vetë ministria.

Nëse ky projektligj votohet në Kuvendin e Kosovës edhe në leximin e dytë dhe shndërrohet në ligj, siç ka njoftuar më herët kryeministri Avdullah Hoti do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021. Ndërsa pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.