Agim Sulaj
12 Korrik 2022•Përditësim: 12 Korrik 2022
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës në raportin 24-orësh ka njoftuar se dy persona të infektuar me COVID-19 kanë ndërruar jetë, derisa numri i viktimave ka shkuar në 3.145, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) 175 qytetarë janë infektuar me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në 232.027.
Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 467 mostra të dyshuara për COVID-19 ndërsa deri më tani janë bërë gjithsej 1.858.391 teste.
Të dhënat e fundit kanë njoftuar për 105 persona që kanë fituar betejën me COVID-19. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 226.698, ndërsa numri i rasteve aktive është 2.184.
Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 13 doza të vaksinës ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.831.152 doza të vaksinës. Deri më sot 823.872 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.