BALLKANI

Kosovë, digjet Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok, reagojnë institucionet e larta

Kryeministri Kurti theksoi se “sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen”

Agim Sulaj  | 25.09.2021 - Përdıtësım : 26.09.2021
Kosovë, digjet Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok, reagojnë institucionet e larta

Prishtinë

Është djegur pas mesnate Qendra e Regjistrimit të Automjeteve e cila gjendet në objektin e Komunës së Zubin Potokut, ndërsa është tentuar të digjet edhe qendra e njëjtë në Komunën e Zveçanit, transmeton Anadolu Agecy (AA).

Në një reagim të ministrit te Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, “akti kriminal me elemente terroriste i shkaktuar nga persona të dyshimtë” ka ndodhur në orën 1:00 pas mesnate.

Ministri Sveçla thotë se po ashtu, është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes, ndërsa Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri. Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe është garant i vendimeve sovrane të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkundër veprimeve të tilla do të vazhdojë me angazhim të plotë në zbatimin e vendimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla, i cili ftoi qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe të mos dirigjohen apo manipulohen "nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve".

Për ngjarjet në komunat me shumicë serbe ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili thotë se hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme.

Kurti thotë se në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zveçan janë hedhur dy bomba dore, “por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar”.

“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdor qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, shkroi Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se “sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve, me theks të veçantë në veri të Ibrit, pavarësisht etnisë së tyre, që “ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës”.

Kosova me vendim të 20 shtatorit nuk do t’i lejojë veturat me tabela serbe në Kosovë. Të gjithë ata që kanë vetura me regjistrim të Serbisë duhet të marrin tabela të përkohshme, validitetit i të cilave zgjat 60 ditë dhe kushtojnë 5 euro, për t’u futur dhe qarkulluar në territorin e Kosovës.

Kjo ka ngjallur reagim nga serbët e Kosovës të cilët kanë ngritur që nga 20 shtatori tenda në afërsi të kufirit të Kosovës me Serbinë, për të protestuar rreth këtij vendimi të palës kosovare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.