Agim Sulaj
28 Janar 2022•Përditësim: 28 Janar 2022
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës në raportin 24-orësh lidhur me rastet e reja të koronavirusit të ri (COVID-19) ka njoftuar se 4 persona të infektuar me koronavirus kanë vdekur, derisa numri i viktimave nga ky virus ka shkuar në 3.012, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 3.617 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 198.327.
Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 13.928 mostra të dyshuara për COVID-19 ndërsa deri më tani janë bërë gjithsej 1.605.736 teste.
Të dhënat e fundit kanë njoftuar për 1.344 persona që kanë fituar betejën me koronavirusin. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 164.294, ndërsa numri i rasteve aktive është 31.021.
Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 4.316 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.769.170 doza të vaksinës. Deri më sot 804.251 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.