BALLKANI

Kosova nënshkruan marrëveshje me Turqinë për furnizim me artikuj dhe produkte të mbrojtjes

"Kjo marrëveshje ka rol të jashtëzakonshëm në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës", shkroi Mehaj

Agim Sulaj   | 17.05.2022
Kosova nënshkruan marrëveshje me Turqinë për furnizim me artikuj dhe produkte të mbrojtjes Foto: Ministria e Mbrojtjes e Kosovës/AA

Prishtinë

Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshje shtet me shtet për furnizim me artikuj dhe produkte për shërbime të mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Turqi, ka bërë të ditur se e ka nënshkruar një marrëveshje të tillë në takim me presidentin e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Ismail Demir.

‘’Kjo marrëveshje ka rol të jashtëzakonshëm në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidencën e Industrisë së Mbrojtjes e njoftova me synimin e Kosovës për Integrimin Euro-Atlantik dhe anëtarësim në NATO. Në këtë proces mbështetja Republikës së Turqisë për Republikën e Kosovës është tejet e rëndësishme’’, ka shkruar Mehaj në rrjetet sociale.

Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës bëhet e ditur se nga ana e tij presidenti Demir ka falënderuar Kosovën për bashkëpunimin dhe për konkretizimin e këtij bashkëpunimi me marrëveshje shtet me shtet.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, po qëndron për vizitë katërditore në Republikën e Turqisë, me ftesë zyrtare të homologut të tij, ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar.

Gjatë kësaj vizite, ministri Mehaj përveç takimit me homologun e tij, do të realizojë edhe vizitë në qendrën akademike ushtarake, si dhe në kompanitë më të njohura turke të industrisë së mbrojtjes.

Gjithashtu, Mehaj do të vizitojë edhe Konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll.

Vizita përkatëse realizohet në kuadër të objektivit strategjik për thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit bilateral me vendet partnere të Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın