Politikë, BALLKANI

"Kosova në zgjedhje të parakohshme, Thaçi vazhdon dialogun me Vuçiçin"

Politologu Tahiri thotë se Kosovën e presin zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe atë në shtator, ndërsa sipas politologut Halimi, dorëheqja e Haradinajt ka thjeshtësuar gjërat sa i përket dialogut

Zülfiya Yakup   | 23.07.2019
"Kosova në zgjedhje të parakohshme, Thaçi vazhdon dialogun me Vuçiçin"

Prishtinë

Analistët politikë vlerësojnë se në Kosova veçse në shtator do të ketë zgjedhje, pasi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme për shkak të ftesës për intervistim si i dyshuar për krime lufte nga Gjykata Speciale në Kosovë.

Sipas mendimit të analistëve, dialogun me Serbinë do ta vazhdojë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili me homologun serb Aleksandar Vuçiç deri në dhjetor do të nënshkruajnë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Duke dhënë dorëheqjen, Haradinaj i cili është gjithashtu kryetar i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se do të intervistohet nga Gjykata Speciale në Hagë këtë javë. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi nga presidenti i Kosovës që të përcaktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Partia e Haradinajt në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e koalicoinit parazgjedhor PAN, me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) të udhëhequr nga Kadri Veseli dhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt. Pas zgjedhjeve, PAN-it iu bashkua edhe Aleanca për Kosovën e Re (AKR) e Behxhet Pacollit, ndërsa shumica mori mbështetjen edhe të deputetëve të pakicave.

Politologu Fisnik Halimi në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) thotë se pas dorëheqjes së Haradinajt, para Kosovës është vetëm një skenar i mundshëm, e ato janë zgjedhjet e parakohshme.

"Presidenti Thaçi obligohet që ta thërrasë partnerin e madh të koalicionit për t'ia dhënë mundësinë që të krijojë qeverinë. Por, kjo është sureale për një arsye të vetme për shkak se sot më shumë se 80 deputetë shqiptarë në Kuvendin e Kosovës janë pro opsionit të shkuarjes në zgjedhje. Nëse z. Thaçi provon që mos ta çojë vendin në zgjedhje atëherë këta deputetë do të thërrasin seancë të Kuvendit dhe do ta shpërbëjnë Parlamentin vetvetiu siç ka ndodhë në të kaluarën. Për këtë arsye themi që mundësitë që zgjedhje të parakohshme mos të ketë, thjesht janë inekzistente", tha Halimi.

Edhe politologu Ramush Tahiri për AA thotë se Kosovën e presin zgjedhje të parakohshme edhe atë në muajin shtator. Tahiri thotë se nuk ekziston mundësia që koalicioni PAN të propozojë kandidat të ri për kryeministër për shkak se nuk i ka 61 vota në Kuvendin e Kosovës për shkak se Lista Serbe nuk i përkrah tashmë më shumë se një vit. Ai thotë se Kosova patjetër të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë që nga data e dorëzimit të dorëheqjes së kryeministrit deri te presidenti Thaçi.

"Tash duket që asnjë parti nuk po shpreh gatishmërinë për të bërë koalicion me Partinë Demokratike (të Kosovës), dhe duket që kjo do të ndikojë që të gjitha partitë të shkojnë veç e veç në zgjedhje duke përfshirë edhe partitë e vogla. Mirëpo, Lidhja Demokratike e Kosovës si partia më e madhe opozitare, por edhe më e madhja në vend, tash i ka zgjedhjet partiake dhe ekziston mundësia që të zvogëlohet ose të ketë përçarje sa i përket liderit të saj. Dhe duket, janë bisedimet që zgjedhjet brenda partisë të ndërpriten dhe të shkojnë unison derisa të mbahen zgjedhjet parlamentare", tha Tahiri.

Kolegu i tij Halimi mendon se rezultati i zgjedhjeve të parakohshme do të jetë shumë i ngushtë dhe se është e pamundur të parashikohet fituesi edhe pse të rivalët kryesorë janë të njohur.

"Ne kemi tri parti të mëdha politike të cilat do të pretendojnë që të fitojnë. Unë nuk parashoh koalicione të gjëra si në rastin e PAN-it. Mendoj që koalicionet do t'i kthehen mënyrës tradicionale të të bërit koalicione në Kosovë që është partitë e mëdha me partitë e vogla të cilat nuk mund ta kalojnë pragun. Ajo që kush do ta krijojë qeverinë e re, është e paparashikueshme për një arsye të thjeshtë sepse makiavelizmat në Kosovë përbëjnë tash e një kohë vlerën e vetme të politikës në këtë vend", thotë Halimi.

Sipas politologut Halimi, dorëheqja e Haradinajt ka thjeshtëzuar gjërat në aspektin e dialogut, pasi presidentët Thaçi dhe Vuçiç tani do të kenë të gjithë hapësirën e nevojshme për të përfunduar negociatat që i kanë zhvilluar për 14 muaj.

"Sipas mendimit tim, shumë shpejtë do të ketë arritje të marrëveshjes mes dy presidentëve, me garancat e domosdoshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, BE-së dhe vetë Rusisë dhe detyra e parë e parlamentit të ardhshëm të Kosovës do të jetë pikërisht ratifikimi i kësaj marrëveshjeje", tha Halimi.

Edhe sipas Tahirit, dialogu politik me Serbinë do të vazhdojë me presidentët Thaçi dhe Vuçiç.

"Ndërsa dialogu politik gjithmonë zhvillohet në nivel të dy presidentëve dhe dy presidentët kanë ingerenca të plota sepse janë faktorë uniteti, sepse e përfaqësojnë vendin, pra pushtetin brenda dhe jashtë dhe sepse kanë të drejtë të nënshkruajnë marrëveshje ndërkombëtare dhe ndërshtetërore. Pra, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të bëhet brenda këtij viti dhe pritet që do të arrihet brenda këtij viti", tha Tahiri.

Ai thekson se presidenti amerikan Donald Trump nga shkurti i vitit të ardhshëm do të fillojë një fushatë zgjedhore në vendin e tij dhe ai është i angazhuar që liderët e Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një marrëveshje dhe se pritet që "marrëveshja të nënshkruhet zyrtarisht në Washington në muajin dhjetor".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın