Agim Sulaj
02 Dhjetor 2019•Përditësim: 03 Dhjetor 2019
Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka bërë promovimin e historikut të punës së institucionit për vitet 2000-2017 ku përfshihen të gjitha rastet e ankesave, parashtresave dhe shumë statistika të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).
Në promovim u tha se këto dokumente do të shërbejnë për përmirësimin e procesit zgjedhor, teksa u nënvizua edhe nevoja e këtij institucioni në mënyrë që të përmbushet besueshmëria në procesin zgjedhor.
Kryesuesja e PZAP, Gyltene Sylejmani tha se ngjarjet si kjo e sotshme janë mundësi të duhura për të kujtuar veprimtaritë e mira të institucionit në fjalë.
Sylejmani tha se ka pas përmirësime në rritjen e efikasitetit në marrjen e vendimeve në rastet e ankimimit, duke shtuar se ende ka sfida.
"PZAP në shtetin e Kosovës e ka zanafillën e vet jo shumë larg në kohë. Historia e zgjedhjeve në Kosovën e pasluftës ka filluar në vitin 2000 dhe nga ky vit e deri më tani Kosova ka shënuar progres të madh në organizimin e zgjedhjeve dhe në zgjidhjen e kontesteve zgjedhore", tha Sylejmani e cila shtoi se zgjedhjet si në mbarë botën ashtu edhe në Kosovë janë duke u bërë gjithnjë e më të diskutueshme dhe është një presion në rritje në trupat menaxhuese të zgjedhjeve.
Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha që PZAP-ja është një institucion që ofron besueshmëri në procesin zgjedhor. Ai theksoi se bashkëpunimi i OSBE-së me PZAP është i ngushtë që 20 vjet.

Brathuu tha se megjithatë nga Misionet e Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga OSBE kanë bërë në vitin 2013 disa rekomandime për t’u implementuar në përmirësimin e punës së procesit zgjedhor, por kanë mbetur pa u implementuar.
"Ne tani po shikojmë se si mund të ndihmojmë institucionet e Kosovës në implementimin e rekomandimeve. Ne nuk do të kthehemi pas në vitin 2013, do të koncentrohemi në rekomandimet që janë bërë në dy palë zgjedhjet në vitin 2017 nga të cilat janë 35 rekomandime, asnjë nga to nuk është adresuar nga institucionet e Kosovës deri më tani dhe për këtë bashkë me ambasadoren Apostolova, në dalim nga ky vit duke iniciuar që të fillojë implementimi i rekomandimeve për zgjedhje. Këto janë rekomandime teknike, jo politike', tha Braathu.
Sipas anëtarit të PZAP-së, Adnan Konushevci, i cili tregoi me shifra rastet e shqyrtimit të ankesave ndër vite, tha se PZAP zhvillon të gjitha hetimet dhe bënë hetime për raste konkrete për secilën votë të parashtruar.
Sipas tij, nga viti 2008, PZAP ka arritur t’i shqyrtojë të gjitha ankesat. "Në vitin 2009 ka shqyrtuar 544 raste, në vitin 2010 ka shqyrtuar 454 raste dhe në vitin e 2012 në zgjedhjet e parakohshme ka shqyrtuar 120 raste. Në vitin 2013 janë shqyrtuar 1109 raste dhe në vitin 2014 u shqyrtuan 341 raste", tha Konushevci.
PZAP është organ i përhershëm, i pavarur dhe kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat dhe apelet e lejuara qe kanë të bëjnë me procesin zgjedhor siç është caktuar me Ligjin e zgjedhjeve të Republikës së Kosovës dhe rregullave zgjedhore.