BALLKANI

"Kosova e ka shumë të qartë orientimin për BE-në dhe NATO-n"

Ministrja Xhaçka, ka pritur sot në një takim homologen e saj nga Kosova, Donika Gërvalla-Schwarz, ndërkohë në një deklaratë të përbashkët pas takimit u fokusuan në avancimin e bashkëpunimit mes dy vendeve

Fatjon Cuka   | 18.10.2021
"Kosova e ka shumë të qartë orientimin për BE-në dhe NATO-n" Foto: Ministria e Jashtme e Shqipërisë

Tiranë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka pritur sot në një takim homologen e saj nga Kosova, Donika Gërvalla-Schwarz, ndërkohë në një deklaratë të përbashkët pas takimit u fokusuan në avancimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Xhaçka: Shqipëria është dhe do të jetë gjithmonë në krahun e Kosovës

Ministrja Xhaçka tha se në marrëdhëniet mes dy vendeve ka një moment të ri për të thelluar me masa e hapa konkrete partneritetin strategjik në të gjithë fushat, që nga diplomacia, ekonomia e turizmi, e deri tek përpjekjet e përbashkëta për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së statusit të Kosovës.

"Biseduam sot për përmbushjen e detyrave të lëna nga takimi i dy kryeministrave Rama dhe Kurti në Prishtinë, më 27 shtator, si dhe për mbledhjet e përbashkëta qeveritare të deritanishme. Në këtë aspekt besoj që ngritja e një sekretariati të përbashkët, si një strukturë operative, do të jetë një mekanizëm efikas për ndjekjen e realizimit të marrëveshjeve të nënshkruara, deri më tani, dhe të atyre që me gjasë do të nënshkruhen më tutje", tha ajo.

Xhaçka theksoi se bashkërendimi i aksionit diplomatik do të mbështetet nga shtimi i përfaqësive të përbashkëta, posaçërisht në zona si Afrika dhe Azia, apo edhe nga ndërthurja e punës së diplomatëve të Shqipërisë dhe Kosovës në ambasadat ekzistuese.

Ajo tha se Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë në krahun e Kosovës dhe shtoi se Shqipëria do të ngrejë zërin për Kosovën "pa u lodhur siç ka bërë gjithmonë".

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Xhaçka tha se rezultati i dialogut duhet të jetë një marrëveshje e detyrueshme ligjore që mundëson njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës. Xhaçka shtoi ndër të tjera se "rezultati i marrëveshjes duhet të jetë një kërkesë falje dhe njohje e krimeve nga ana e Serbisë".

"Kosova e ka shumë të qartë orientimin për BE-në dhe NATO-n"

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në deklaratën e përbashkët me homologen Xhaçka tha se gjatë javëve dhe muajve në vijim dy shtetet do të bisedojnë shumë konkretisht dhe do të bëjnë një bilanc rreth bashkëpunimin të deritanishëm dhe një strategji të qartë për të ardhmen.

"Si në çdo familje të madhe duhet të bisedojmë edhe për temat që janë shqetësuese. Gjatë javëve të fundit dhe muajve të fundit gjuha e fqinjit tonë verior Serbisë ndaj Kosovës është ashpërsuar shumë. Nuk është ashpërsuar vetëm gjuha e Serbisë ndaj Kosovës, por është ashpërsuar shumë edhe gjuha e Serbisë edhe ndaj fqinjëve të tjerë, si ndaj Malit të Zi dhe Bosnjës. Duhet të jemi shumë të ndërgjegjshëm dhe shumë të kujdesshëm që këtë paqe të brishtë që e kemi në rajon ta forcojmë dhe të gjithë së bashku të ndikojmë që mos të cenohet paqja dhe stabiliteti në rajonin tonë", tha ajo.

Gërvalla-Schwarz theksoi se ka nevojë për një koordinim më të mirë të të pesë shteteve të rajonit karshi Serbisë dhe u shpreh se ka nevojë për një bashkëpunim më përmbajtësor në të gjitha proceset rajonale.

Ajo tha se Kosova e ka shumë të qartë orientimin për BE-në dhe NATO-n dhe shtoi se është skeptike ndaj koncepteve konkurruese ndaj BE-së. Sipas saj, Kosova në çështjen e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar është e vendosur në bashkëpunim me partnerët strategjikë, përfshirë edhe Shqipërinë, të bëjë një hap më tej në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe në njohje të reja.

"Dialogu me Serbinë në Bruksel nuk është rreth statusit të Kosovës, por është një dialog rreth statusit të marrëdhënieve me Serbinë. Dhe mbi këtë bazë, Kosova është e gatshme të zhvillojë procesin e negociatave i cili duhet të ketë si përfundim logjik njohjen e ndërsjellë", tha Gërvalla-Schwarz.

Gjatë vizitës në Shqipëri, Gërvalla-Schwarz u takua edhe me presidentin e vendit, Ilir Meta.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.