BALLKANI

Kosova dhe Shqipëria urojnë Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në NATO

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova do të ndjek shembullin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj në këtë anëtarësim, për të kontribuuar në sigurinë globale

Agim Sulaj, Fatjon Cuka  | 27.03.2020 - Përdıtësım : 28.03.2020
Kosova dhe Shqipëria urojnë Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në NATO Foto: AA/Arhiv

Prishtinë/Tiranë

Krerë të institucioneve të larta në Kosovë dhe Shqipëri kanë uruar Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin e saj në Aleancën Veri-Atlantike NATO, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale, ka thënë se Kosova do të ndjek shembullin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj në këtë anëtarësim, për të kontribuuar në sigurinë globale.

“Urime për miqtë tanë dhe aleatët, Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin zyrtarisht në NATO. Ky është një moment i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Kosova do të ndjekë këtë shembull dhe do të vazhdojë të punojë për anëtarësimin në NATO për të dhënë kontributin në sigurinë globale”, ka shkruar Thaçi.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke uruar shtetin fqinj, e ka konsideruar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO për Kosovën si “ngjarje e lumtur”, ngase siç tha ai, “sjell më shumë siguri në fqinjësi”.

Gjithashtu, Kurti në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, theksoi se Maqedonia e Veriut “është një shtet ku jetojnë shumë bashkëkombës tanë”.

“Sot, fqinji ynë, Maqedonia e Veriut u bë pjesëtari i tridhjetë i NATO-s, aleancës ushtarake që ofron siguri e mbrojtje për demokracitë. Për Kosovën kjo është ngjarje e lumtur, sepse sjell më shumë siguri në fqinjësi, dhe e mban larg mundësinë e ndërhyrjeve nga fuqi të tjera. Është ngjarje pozitive përgjithësisht edhe për shqiptarët, pasi Maqedonia e Veriut është një shtet ku jetojnë shumë bashkëkombës tanë”, theksoi Kurti.

Kurti u shpreh i bindur “nuk do të vonojë shumë edhe hyrja e Kosovës në NATO, me të cilën kemi një marrëdhënie strategjike të shkëlqyer”.

Po ashtu edhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka përshëndetur anëtarësimin zyrtarisht të Maqedonisë së Veriut në NATO. 

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Cakaj shkruan se, “I gëzuar të mirëpresim në Aleancën tonë, Aleatin e 30-të. Urime për fqinjin tonë të vlerësuar, Maqedoninë e Veriut për këtë arritje historike. Së bashku jemi më të fortë dhe do të kontribuojmë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.

Maqedonia e Veriut është bërë anëtarja e 30-të e NATO-s pas deponimit të instrumentit të anëtarësimit në Traktatin e Atlantikut të Veriut në Departamentin e Shtetit të SHBA-së në Washington.

Ceremonia për ngritjen e flamurit të Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet të hënën në Selinë e NATO-s.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın