BALLKANI

Kosovë, nga e hëna hapen shkollat, qasja në vende të mbyllura vetëm me dëshmi vaksinimi ose testimi

Në institucionet shtetërore dhe në një mori të institucioneve private do të kërkohet që të paraqiten certeifikata e vaksinimit apo testet përkatëse para hyrjes në objektet ku operojnë, tha ministri Vitia

Agim Sulaj   | 23.09.2021
Kosovë, nga e hëna hapen shkollat, qasja në vende të mbyllura vetëm me dëshmi vaksinimi ose testimi Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë (MSH) e Kosovës bashke me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), kanë shpalosur masat e reja të cilat do të hyjnë në fuqi nga 27 shtatori, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në konferencë për media të mbajtur në Qeverinë e Kosovës, tha se nga dita e hënë do të hapen shkollat dhe çerdhet, ndërsa për qasjen e qytetarëve në ambiente të mbyllura do të kërkohet dëshmi për vaksinim ose testim përkatës.

“Tani në institucionet shtetërorë dhe në një mori të institucioneve private do të kërkohet që të paraqesin certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse para hyrjes në objektet ku ato operojnë. Kjo vlen për aktivitete si: qendrat tregtare, qendrat e thirrjeve (call center), gastronomia në ambientet e brendshme dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që kanë punën me palë. Shkollat dhe çerdhet do të fillojnë punën nga dita e hënë, nga 27 shtatori”, tha Vitia, duke shtuar se maksimumi i nxënësve në klasa do të jetë 20.

Ministri Vitia tha se aktivitetet sportive në ambiente të mbyllura, mund të kenë prani të shikuesve deri në masën 10 për qind të kapacitetit të tyre, por duke prezantuar certifikatë të vaksinimit apo test përkatës. Në ambientet e jashtme do t’u lejohet me 30 për qind me dëshmitë e njëjta.

Dëshmi të njëjta do të kërkohen edhe për aktivitete kulturore.

Ministri Vitia tha se pavarësisht një stabilizimi në spitalet e Kosovës, situata me COVID-19 vazhdon të mbetet e ndjeshme dhe jostabile. Ai u bëri lutje edhe njëherë qytetarëve që të mos hezitojnë të vaksinohen.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se ka pasur rreth 75 për qind rënie të numrit të të infektuarve me COVID-19 në dy javët e fundit, megjithatë, situata vazhdon të jetë akoma jostabile.

“Duhet të kemi parasysh se kjo situatë, akoma është jostabile. Trendi i rasteve të vdekjeve të raportuara në Shërbimin Spitalor Universitar të Kosovës dhe në Spitalet COVID-19 edhe pse tregon një rënie prej 38,6 për qind krahasuar me dy javët e fundit, akoma është mjaft brengosës dhe akoma duhet të ketë mjaft kujdes dhe pacientët të paraqiten me kohë në institucionet shëndetësore”, tha Ramadani.

Në konferencë u bë e ditur se përqindja e popullatës së vaksinuar me një dozë deri më tani në Kosovë është 41,8 për qind, ndërsa përqindja e popullatës së vaksinuar me dy doza është 26 për qind.

Deri më tani në Kosovë, nga 159.621 raste pozitive me COVID-19 janë shëruar 150.625, ndërsa 2.919 pacientë kanë përfunduar me fatalitet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın