BALLKANI

Kosovë, inaugurohen për herë të parë mbushësit e veturave elektrike

“Të gjithë ata që kanë vetura të plota elektrike parkingun do ta kenë falas. Dhe, po ashtu në fillim mbushja e tyre do të jetë pa para”, tha kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti

Agim Sulaj   | 23.07.2021
Kosovë, inaugurohen për herë të parë mbushësit e veturave elektrike ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Janë inauguruar për herë të parë në Kosovë mbushësit elektrik për vetura, të cilat do të jenë pa pagesë për përdoruesit e veturave elektrike, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë mënyrë, Komuna e Prishtinës, në vazhdën e përpjekjeve për të mbrojtur ambientin në kryeqytet, është bërë komuna e parë në Kosovë që instalon mbushësit elektrik për automjete.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se deri më tash kanë marrë disa veprime për mbrojtjen e ambientit në kryeqytet.

Ai tha se mbushëset e inauguruara sot prapa Pallatit të Rinisë në qendër të Prishtinës, janë të parat ndërsa do të vazhdohet edhe me instalimin e mbushësve të tjerë nëpër qytet.

“Këto janë të parat, tashmë Komuna do të fillojë me stacione tjera mbushëse dhe po ashtu do të kemi iniciativa që të gjitha ata që kanë vetura të plota elektrike parkingun do ta kenë falas. Dhe, po ashtu në fillim mbushja e tyre do të jetë pa para”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se Prishtina së shpejti do të bëhet pjesë e grupit të qyteteve të BERZHI-it që janë pjesëmarrëse në Planin Aksional të Qyteteve të Gjelbra ku do t’i ketë disa projekte të gjelbra.

Ndër to, Ahmeti përmendi edhe 30 autobusë të rinj të cilët do të vijnë deri në fund të vitit, gjashtë nga të cilët do të jenë elektrik. Po, kështu kreu i Prishtinës tha se kanë nënshkruar dhe janë para aprovimit të projektit për ngrohje qendrore me panele solare.

Sipas Claus Peter Zeitinger nga ProcCredit Bank, bankë me të cilën u mundësua ky investim, tha se një mbushës, pa shërbime shtesë, ka kushtuar rreth 600 euro ndërsa ai mund të instalohet kudo.

Këtë projekt e ka mirëpritur edhe kryeshefi ekzekutiv i “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, i cili tha se kanë përkrahur këtë projekt që nga fillimi. Ai ftoi qytetarët të pajisjen me kartela dhe ta përdorin falas parkingun dhe mbushjen e veturave elektrike.

Prishtina është qyteti me cilësinë më të dobët të ajrit në Kosovë sipas shumë raporteve të publikuara vitet e fundit. Sipas autoriteteve komunale kjo ndotje vjen për shkak të frekuentimit të lartë të automjeteve dhe qytetarëve, e po kështu, gjatë dimrit edhe për shkak të ngrohjes me dru dhe thëngjill.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın