Politikë, BALLKANI

Kosovë, deputetët diskutojnë shtrenjtimin e energjisë elektrike

Kryeministri Kurti tha se përpos ngritjes së çmimeve, në Kosovë gjatë vitit 2021 është shënuar edhe ngritje e kërkesës për energji elektrike, gjë e cila ka cenuar furnizimin

Agim Sulaj   | 24.01.2022
Kosovë, deputetët diskutojnë shtrenjtimin e energjisë elektrike foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar mbi paralajmërimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për shtrenjtim të energjisë elektrike në Kosovë si pasojë e ngritjes së çmimit të saj në tregun ndërkombëtar, raporton Anadolu Agency (AA).

Me mbi 40 nënshkrime të deputetëve seanca u iniciua nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), vetëm katër ditë para se ZRRE të marrë një vendim mbi propozimin e dhënë deri më tani me bllok-tarifë.

Shefi i Grupit të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kur vendet e rajonit filluan të merrnin masa pas paralajmërimit të krizës së energjisë elektrike, Qeveria e Kosovës qëndroi neglizhente.

Tahiri tha se kapacitetet kosovare prodhuese të energjisë elektrike janë rreth 950 megavatë, në orë ndërsa kërkesa është për çdo vit gjatë sezonit të dimrit në 1,2 gigavat në orë dhe çdo vit po shkon duke u rritur.

“Këtë vit është paralajmëruar se do të ketë shumëfishim të çmimit të energjisë elektrike dhe institucionet tona kanë qëndruar indiferent ndaj kësaj situate. Nuk jemi këtu për të bërë analiza se kush e ka shkaktuar krizën ngase këta faktorë as nuk i kontrollojmë, as nuk varen nga ne. Por, jemi këtu për të ballafaquar paaftësinë e qeverisë përballë krizës, sepse ajo ka shpërfillur totalisht këtë krizë deri sa goditi drejtpërdrejtë qytetarët e vendit tonë”, tha Tahiri.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se debati parlamentar në kuvend nuk është thirrur për të propozuar zgjidhje se si qeveria ta kapërcejë këtë krizë energjetike, por për luftë politike.

Ajo tha se çështja e energjisë është çështje e cila kërkon gjuhë të fakteve, ngase edhe pas diskutimeve të stërzgjatura, në fund do të fitojnë faktet.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, para deputetëve dhe përfaqësuesve qeveritarë, tha se ndajnë besimin e njëjtë me qytetarët e Kosovës se shtrenjtimi energjisë elektrike është i padrejtë.

Abdixhiku tha se njëra nga arsyet se pse tani Kosova po përballet më së vështiri me krizën energjetike është për shkak të vonesës në reagim të institucioneve për këtë problem.

Ai tha se propozimi nga Zyra e Rregullatorit të Kosovës për shtrenjtim të energjisë është i papërballueshëm për qytetarët.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e kundërshton propozimin e tanishëm të institucioneve të Kosovës. Është selektiv në pagesë, diskriminues në trajtim, i paparalajmëruar me kohë dhe mbi të gjitha është propozim i papërballueshëm një javë nga sot”, tha Abdixhiku.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike në nivel global ka ndodhur për shkak të rritjes enorme të kërkesës për gaz, ku si rrjedhojë vendet e Evropës i kanë zvogëluar rezervat e tyre me gaz dhe kanë rritur kërkesën si për mbushje të rezervave, ashtu edhe për furnizim të menjëhershëm me energji.

Kurti tha se përpos ngritjes së çmimeve, në Kosovë gjatë vitit 2021 është shënuar edhe ngritje e kërkesës për energji elektrike, gjë e cila ka cenuar furnizimin.

“Unë nuk jam për reduktime të energjisë elektrike. Mirëpo, nëse jemi që të mos kemi reduktime të energjisë elektrike, atëherë duhet ta kuptojmë që duhet të kemi ose subvencionim nga shteti, ose shtrenjtim të energjisë elektrike, ose kombinim të këtyre dyjave për ta gjetur njëfarë mesi të artë në një situatë ku nuk ka zgjidhje të mirë. Nuk ka mundësi të tjera. Me pikun 1.384 gigavate kapacitet në orën 23:00 nuk ka mundësi të tjera”, tha Kurti.

Ai u tha deputetëve që është i interesuar për ide kreative, mirëpo të kërkosh as të mos ketë ndërprerje të rrymës, as shtrenjtim dhe as subvencionim nga qeveria, është e pamundur.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në fillim të javës së kaluar ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovatë të dyfishohet nga muaji shkurt.

Qeveria e Kosovës po ashtu javën e kaluar mori vendim për të ndarë 75 milionë euro për të subvencionuar furnizimin me energji elektrike për qytetarët dhe bizneset.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, kjo gjë u bë për të përballuar rritjen e tarifave të rrymës e cila pritet të ndodhë me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në fund të këtij muaji.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın